25 Rreshtat e Mirës

Leksione italiane nga rubrika #leksionetënjëvirusi

Leksione italiane nga rubrika #leksionetënjëvirusi

E simpatizoj mënyrën se si ka punuar kryeministri italian, Conte. Edhe në ditët kur u duk i sinqertë më shumë sesa duhet, edhe kur italianët po e kryqëzonin se bëri alarm të ekzagjeruar (se ishte duke u sjellë si një parapolitik) për një grip kinez, nuk e kuptoja pse ishte kjo paaftësia e një politikani: një burrë i ndershëm me popullin e tij, që dilte e fliste në emër të jetës, ishte idiot për disa...!

Edhe pse koha i shkoi në favor Giuseppe Contes, prapë, edhe sikur të kish qenë gabim, edhe sikur të falimentonte Italinë, historia nuk do ta kujtonte për mashtrues, por si një burrë të sinqertë që nuk pati instiktin e duhur politik në një moment kritik për vendin. As skenari më i keq nuk ndodhi dhe Conte do ketë një vend në historinë e Italisë, pa dyshim. E vërteta vonon, por nuk harron.

Italianët nuk iu bindën kryeministrit të tyre, por panë lart e poshtë arsyet ekonomike dhe ato sociale, që s'ka dyshim që kanë shumë rëndësi, dhe u treguan siç qenia njerëzore është e programuar: egoistë dhe dembelë për të hequr dorë nga kënaqësia. Në Itali është edhe më e vështirë të heqësh dorë sesa në Gjermani, sepse kënaqësia atje është rutinë e ditës, vishu bukur, parfumosu, ha mirë, udhëto, këndo, puthu e dashuro!

Izolimi ndodhi me vonesë në Itali, duke çuar në një përhapje në masë të Covid-19. Çereku i Italisë është në shtrat, numri i të vdekurve ka arritur në 1441 dhe i të infektuarve në 21157.

Italia është eksperiment i gjallë edhe për tezën angleze të Boris Johnson se njerëzit duhet të pranojnë vdekjet e të dashurve dhe duhet të infektohen që më pas të shërohemi të gjithë. Kur vjen puna tek sistemi sanitar dhe tek shëndetësia, Britania është e çuditshme dhe një ish-ministër Shëndetësie që shquhet për batuta me kripë e shpjegonte kështu: në Angli ngelesh shtatzënë dhe abortin ta lënë pas 9 muajsh!

Teza e lënies së lirë të ‘infektimit’ të popullit duke shkaktuar kështu prodhimin e antikorpeve mund të mbështetet në argumente të forta, edhe pse ka egërsi në artikulim dhe që cënon të drejtën e jetës: të thotë rreziko dhe ambientohu me idenë që do të të vdesin disa njerëz të dashur.

-Mund të jetë tezë që del nga laboratorët e studimeve dhe kërkimeve në Londër, por fakti që e dëgjon nga një politikan nuk të jep gjithashtu besim, ashtu siç italianët nuk patën besim tek kryeministri i tyre i mirë dhe vazhduan jetën disa javë deri sa u futën zyrtarisht në ferr për ta konfirmuar ‘in persona’.

Sot për sot në Itali nuk kanë ku çojnë të vdekurit, të cilët po i lënë nëpër kisha të mbyllura. Në disa raste edhe moshat e reja po luftojnë gjithashtu me jetën nga Covid-19. Italia është sot vepra e shkrimtarit të saj më të madh, Komedia Hyjnore, Ferri i Dante Alighierit.

Sa më serioze bëhet gjendja atje, aq më shumë duhet të shohim më nga brenda dhe jo nga dritaret e ballkonet e Italisë. Jo për nihilizëm, as cinizëm, por nuk ka nevojë të imitojmë italianët për duartrokitjet, as për muzikën, se nuk i arrijmë dot as nga zemra, as nga lidhja e fortë në ADN që kanë me artin e as nga arkitektura dhe as po jetojmë sot ferrin e tyre! Disa gjëra dalin nga stomaku vet dhe nuk i bën një hashtag.

Dje p.sh xhirova dhe unë nga ballkoni, por nëna ime më mori erzin në mëngjes se lagjja e Rudina Xhungës dilte shumë bukur dhe se sipas saj Rudina xhiron më mirë se e bija që jam unë e nënshkruara.

Si ta shpik një Tiranë si të Da Vinçit e Mikelanxhelos? Pyetje retorike! Ndoshta e ka fajin e bija, ndoshta ndërtesat! Po tani kemi hall tjetër dhe e mora përsipër fajin në fund.

Sepse në fund, punë e madhe se nuk ia dolëm të dukemi bukur e hareshëm e emocionues si italianët. As nuk ia vlen t’u futemi këtyre krahasimeve, se bëhemi qesharakë. Nga Italia duhet të nxjerrim leksione të tjera dhe të dëgjojmë e lexojmë sa më shumë shkencëtarët, debatin e tyre. Çfarë po zbulojnë mjekët e infermierët nga praktika e tyre direkte?!

-Sot në Gjermani ka nisur një debat rreth përdorimit tek të infektuarit të Ibuprofenit apo të paracetamolit? Po kërkojmë në redaksi përgjigje nëpër artikuj dhe do t’i publikojmë.

Ndërkaq në Netflix mund të shohim dokumentarin e Bill Gates kur flet për kërcënimet që i vijnë botës nga viruset.

Mund të lexojmë Yuval Noah Hararin, profesorin e historisë, që flet në librin e tij Homo Deus, (a brief history of tomorrow) për viruset dhe mënyrën e përballjes e menaxhimit, si duhet të sillen qeveritë e shoqëritë etj etj.

Lexoni artikuj shkencorë dhe të bëhemi edhe pak shkencëtarët e vegjël të shëndetit tonë. Të dalim në dritare për të marrë ajër e për të menduar si ta përballim sëmundjen të parën! Çfarë mund të bëj unë për veten?

Të praktikojmë arsyen, se violinës e të duam s’dimë ta luajmë të gjithë.

#leksionetënjëvirusi

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]