VIDEO

Në një botë me Kim, ji Krenare

Në një botë me Kim, ji Krenare

Nga Mira Kazhani/ Më bën krenare që një njeri si ajo iu shtua buqetës së video podcast! Krenare Rugova! Mezi e gjeta. Ajo nuk është me naze, as me mendjen e madhe, por selektive dhe e dhënë pas punës së saj. Ka sens humori dhe ironi të hollë, edhe pse eleganca e saj, portreti i bukur dhe i dlirë, me zërin e ulët, pa e humbur tonin e butë, deri diku mund të pengojnë mundësinë për ta kuptuar edhe thellësinë. Është artiste 24 karat. Ka historinë e shumë shqiptarëve që kanë çarë në jetë me sakrifica. Ajo vajza e bukur dhe e brishtë që do shihni në video podcast kur ishte 19 vjeç, lyente parvazet në Amerikë, shiste lule, shkonte në shkollë dhe më pas punonte edhe në një restorant. Në universitetin më të mirë në SHBA për fashion e design, profesorët i dalluan shpesh dhuntinë për tekstilin, si dhe i kërkuan të qëndronte një europiane në modë. Ajo di të krijojë ngjyra dhe copa në mënyrë perfekte. Këtë po bën edhe tani me laboratorin, KRLab. Prodhon si copat e veshjeve të koleksioneve të saj, por edhe së fundmi “homegoods” të cilat ia shet njërës prej kompanive të suksesshme në Amerikë.

Synon tregun amerikan, sepse siç të gjithë e dimë tregu është atje, por punëson gratë shqiptare, sepse ka zgjedhur të punojë dhe jetojë këtu.

Kur u ndava me të, e pyeta se ç`do këtu me këtë lloj profesioni një njeri si ajo.

- "Po Mira, mund të punoja ku të doja unë në Amerikë dhe me një super rrogë, por më pëlqen zori, të mërzitem, të vras mendjen, të mos shoh sesi çdo gjë shkon fjollë dhe sipas parashikimeve. Jam e lumtur që jam këtu!"

Edhe si mund të mos ndjesh krenari, kur interviston shqiptare si Krenarja!

Edhe po, është familjare e Ibrahim Rugovës.

Për më shumë mos humbni video podcast- in me të!

Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: Krenare, ose Kiki, faleminderit që erdhe në Tiranë!

Krenare Rugova: Faleminderit për ftesën! Është gjithmonë kënaqësi!

Mira Kazhani: Më ka bërë përshtypje komunikimi gjatë këtyre dy muajve për të vendosur një ditë, një datë për intervistën. Nuk e prisja thjeshtësinë. Është normale në fakt që të komunikojmë mirë, por njerëzit sa më shumë ngjiten, aq më shumë e harrojnë atë ngrohtësinë e edukatës.

Krenare Rugova: Faleminderit, po zakonisht njerëzit komunikojnë ashtu siç e marrin komunikimin. Ishte gjithçka shumë e sinqertë nga ana juaj, që edhe unë e ktheva me po të njëjtin sinqeritet. Nuk është në principet e mia të ndërroj komunikim sado arritje që të kem. Plus kurrë nuk e di me kë po flet, kështu që më mirë të jesh e thjeshtë.

Mira Kazhani: E vërtetë, po jo vetëm në principet e tua. Në përgjithësi në principet e familjes dhe mbiemrit tënd. Ti je në një njëfarë forme mbesa e Ibrahim Rugovës? Çfarë lidhje ke me Ibrahimin?

Krenare Rugova: Babi im, të ndjerin e ka pasur djalin e hallës. Edhe pse janë dy mbiemra të ngjashëm për shkak të disa ndryshimeve në familje. Në fakt babai im i ngjan shumë atij. Përpos që i ngjan për nga fiziku, ka të njëjtën qetësi sikurse ai. Natyrisht kanë qenë shumë të afërt. E kam takuar dhe unë. Ka qenë po i të njëjtës qetësi, duke rrëfyer dhe udhëzuar si duhet pasur parasysh gjithmonë tradita kosovare dhe pasuria kombëtare, e sidomos të kostumografisë së shqiptarëve.

Mira Kazhani: Ti nuk ke lindur në Amerikë. Ke lindur dhe je rritur në Kosovë.

Krenare Rugova: Po.

Mira Kazhani: Ke shkuar atje vetëm për shkollën?

Krenare Rugova: Kam shkuar në Amerikë vetëm për shkollën e mesme fillimisht. Ka qenë një shkollë e mesme katolike në një shtet në veri të Amerikës, Maine. Me madhësi sa Jugosllavia, por me popullsi si Kosova. Pastaj ndodhi lufta në Kosovë dhe unë natyrisht kisha pasionin për të qëndruar për studime. Pas qëndrimit një vit gjatë kohës së luftës në Kosovë, punova në restorant dhe si shitëse lulesh në një dyqan, u përgatita për “Parsons School of Design”, në New York dhe pastaj aty vazhdova katër vite studimi, në New York dhe në Paris.

Mira Kazhani: Unë kam bërë një kërkim të vogël. Bëhet fjalë për shkollën më të mirë në Amerikë të Fashion Design. Pra ‘Number One’, numër 1.

Krenare Rugova: Po, kam pasur shumë fat. (qesh)

Mira Kazhani: Fat apo talent shumë dhe punë shumë? Se e ke fituar me bursë gjatë gjithë kohës.

Krenare Rugova: Fat, sepse kam qëlluar në Amerikë. Fat që kam aplikuar në atë shkollë. Fat që kam fituar edhe bursën dhe pastaj me punë e kam mbajtur edhe bursën, dhe kam nxjerrë gjithçka që duhet të nxirrej prej asaj shkolle.

Mira Kazhani: Më të mirën… Shkoje me pizhame në shkollë? Është e vërtetë kjo?

Krenare Rugova: Po. (qesh) Në New York është jeta shumë dinamike, si student, si punëtor i thjeshtë. Gjithçka duhet të jetë gati. Jo për të nesërmen, por për dje. Studentët e dizajnit, të modës, kanë qenë shumë të ngarkuar. Kanë punuar 24 orë, sepse konkurrenca është jashtëzakonisht e madhe. Numri i studentëve të departamentit të dizajnit, modës dhe të gjitha departamenteve të tjera në “Parsons School of Design” ka qenë shumë i lartë. Kështu që për t`u ndjerë mirë në mesin e gjithë atyre talenteve nga gjithë bota, është dashur të punoja. Vjen një moment që nuk e ke parasysh se çfarë ke veshur, vetëm të dorëzosh punimin.

Mira Kazhani: Cila ishte pika jote e fortë dhe çfarë i bëri për vete profesorët e tu të dizajnit? Si pikase ti si një rast i veçantë, unik? Aq më tepër një vajzë që vinte nga një vend i vogël i botës…

Krenare Rugova: Fillimisht fakulteti që kam përfunduar ka qenë artet e bukura me degën Dizajni i Modës. Kështu që i kam dashur artet e bukura në përgjithësi. Ajo që kam dashur shumë, ka qenë dizajni i produktit. Kam pasur dëshirë të dizenjoja produkte që i japim kuptim përditshmërisë dhe njerëzimit. Pastaj me këshillat e profesorëve që sipas tyre kam qenë shumë e mirë në manipulim të tekstilit, më kanë sugjeruar që të drejtohem në dizajn të këtij lloj produkti. Domethënë është produkt pak më delikat, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me emocionet e njeriut, sepse reflekton veten. Nuk është si një karrige që vetëm ulesh, por e tregon veten përmes këtij produkti. Gjithmonë jam kategorizuar si studente që vjen prej Evropës, sepse e kisha stilin pak më avant-garde, sesa komercializmi i Amerikës. Edhe gjithmonë më kanë shtyrë të qëndroj mbrapa kësaj. Kur merr kritika të tilla, - nuk i quajmë as lëvdata, por kritika, - nga njerëzit më të mëdhenj të industrisë së modës në New York, të shtyn që të vazhdosh po në atë drejtim. Kjo është diçka që e ka shoqëruar gjithë krijimtarinë time. Koleksionet e mia, produktet e mia, kanë të bëjnë shumë me tekstilin, me manipulimin e copës dhe vendosjen e copës në trupin e njeriut.

Mira Kazhani: Filozofia jote ishte “Let the skin breath”. Lëreni lëkurën të marrë frymë…

Krenare Rugova: Siç e thashë edhe më herët Mira është shumë e rëndësishme që përmes veshjes të tregohet edhe emocioni i vetë personit, i klientit. Unë gjithmonë them që veshjet e mia kanë karakter, por jo vetëm i shtojnë karakter klientit, pasi sepse klientët e mi e kanë tashmë karakterin edhe vetë.

Mira Kazhani: Pra nuk mund të vijnë tek ty, pa pasur karakter, po thua?

Krenare Rugova: Po. Dhe kjo më pëlqen më së shumti, sepse e përmbushim njëri-tjetrin. Kur njerëz të tillë vijnë në studio tek unë vetëm sa e pasurojnë punën time, sepse e di që njerëz që dinë dhe i vlerësojnë, kanë guxim t`i veshin veshjet e mia.

Mira Kazhani: Po, por nuk janë shumicë ama- unë do doja që të ishin shumicë – por ka një trend tjetër që shikon në Instagram, në gjithë Ballkanin dhe në Amerikë shumë në fakt, se modeli Kendall Jenner, Kim Kardashian, është kaq shumë i përtypshëm, i preferuar, i ndjekur, çfarë mendon ti? Çfarë ndjen?

Krenare Rugova: Që nga fillimi kam tentuar që mos të jem ‘trend follower’, që mos të jem ndjekëse e trendeve, por krijuese e trendeve. Mendoj që ndoshta në hapa më të vegjël, por shumë më të sigurtë, shumë më të rëndësishëm për mua dhe për atë grupin e vogël, ka qenë që të krijoj trende. Pavarësisht trendeve të shumicës që i përmende.

Mira Kazhani: Po Kiki, por ti je më shumë e suksesshme, sesa e famshme.

Krenare Rugova: Po. Është e mjaftueshme për mua. Është shumë e rëndësishme kur takoj dikë që s`më njeh për nga pamja, dhe kur i them Krenare Rugova jam, më thonë: Ah, ti je Krenarja. Kjo është më e rëndësishme për mua. E njohin punën. E njohin si emër që përgjatë viteve ka krijuar diçka që po lë mbresa. Jo vetëm portreti im të ketë famë. Nuk ka qenë asnjëherë qëllimi im.

Mira Kazhani: Krenare, pse e kanë të vështirë në përgjithësi njerëzit të ndjekin shijet e sofistikuara? Për shembull, pse e kanë më të lehtë francezët dhe nuk e ka pjesa tjetër e botës?

Krenare Rugova: Unë mendoj që ajo e sofistikuara kërkon dituri shumëvjeçare. Është një luks jo vetëm monetar, por është luks që vjen nga traditat e një vendi apo familjes. E kundërta e këtij stili të sofistikuar është gjithmonë më e lirë dhe më e famshme.

Mira Kazhani: Mund të jetë më e shtrenjtë në para, por është më e lirë në fakt.

Krenare Rugova: Po, është më e lirë të qasesh aty. Kështu që sofistikimi nuk vjen vetëm me lekë.

Mira Kazhani: E di ç`mu kujtua? Ka një perceptim që të pasurit e vërtetë asnjëherë nuk bien shumë në sy. Gjejnë gjithmonë veshje që janë cilësore, por markat nuk ulërasin, nuk bërtasin. Ata e bëjnë të gjithë se u vjen natyrshëm apo kanë këshillues të mirë?

Krenare Rugova: Mendoj që nuk ka të bëjë vetëm me këshillues. Ka të bëjë me përzgjedhjen e produkteve më cilësore që ka tregu, që nuk janë vetëm brandet e mëdhaja.

Mira Kazhani: Ky është një keqkuptim i madh. Se ndonjëherë mendojmë që fakti që është një brand i madh, duhet të jetë patjetër edhe cilësi e mirë. Po rrëzohet shpesh kjo Krenare? Është e vërtetë?

Krenare Rugova: Ata që janë më të pasurit nuk e besoj që kanë dëshirë ta kenë veshjen të njëjtë si shumica. Dhe shumica i kanë këto trendet e mëdha, sepse kanë dëshirë të jenë pjesë e shumicës dhe trendit.

Mira Kazhani: Cila figurë shqiptare, publike, grua ose burrë, të pëlqen për mënyrën sesi vishet, për stilin që ka?

Krenare Rugova: Të them të drejtën nuk di të kem dikë të veçantë. Ndoshta mund të shtoj që më pëlqen fakti që mundohemi. Me të gjitha telashet e mëdha që s`kanë asgjë të bëjnë me veshjen, mundohemi që paraqitjen ta kemi në nivel. Unë përgjatë karrierës sime, kam punuar me aktorë më shumë sesa me këngëtarë. Ata gjithmonë janë një dozë më shumë të sofistikuar, sepse janë më akademikë ndoshta. Unë gjithmonë jam munduar t`u qëndroj pas atyre për të gjitha prezantimet që kanë pasur në festivalet më të mëdha të filmit nëpër Evropë. Më pëlqen fakti që nuk kanë dalluar kurrë prej kolegëve të vet jashtë dhe janë gjithmonë të gatshëm për të dëgjuar këshilla prej meje apo kujtdo tjetër për të arritur atë look. Po ashtu më pëlqen fakti që në Kosovë dhe Shqipëri po shkon duke u thjeshtësuar look-u, duke mos i marrë parasysh tendencat e fundit të motrave që përmende më herët. Kështu që nuk kam dikë që është shumë i veçantë për mua.

Mira Kazhani: Pse nuk dinë të vishen amerikanët? Pse vishen ashtu me lule e me gjëra të çuditshme?

Krenare Rugova: Amerikanët?

Mira Kazhani: Po, përgjithësisht kur i sheh, se ç`kanë një…

Krenare Rugova: Po nuk e kanë aristokracinë e Evropës.

Mira Kazhani: Po ndoshta nxitojnë dhe nuk e kanë kohën.

Krenare Rugova: Po nëse e marrim gjithë Amerikën është diçka tjetër. Unë jam vajzë New York-u dhe e di botën e tyre. S`mund të them që aty gjithçka fillon, por mund të them se aty gjithçka lulëzon, përsa i përket dizajnit në përgjithësi, përfshi këtu edhe dizajnin e modës, veshjen. Kështu që edhe ata e ndjekin trendin dhe gjënë komerciale.

Mira Kazhani: Në çfarë faze je tani? E di që ke bërë disa hapa dhe më the gjatë bisedës paraprake që “nuk të zbuloj asgjë Mira, do t`i them në intervistë”, tani rrëfehu!

Krenare Rugova: Përpos koleksioneve të mia që janë dy kryesoret, të prezantuara me “Capsule Collection” përgjatë vitit, koleksione në të cilat gjithmonë më duket se aty jam e mirë t`i tregoj rrëfimet e mia personale që i ndjej, përmes produkteve të mia. Pastaj ato rrëfime e prekin publikun dhe kështu e krijoj atë lidhjen me klientelën time. Përpos këtyre koleksioneve me tregime mbrapa, e kam edhe një tregim tjetër shumë të bukur, një projekt që e kemi filluar prej disa muajsh. Kam hapur laboratorin e tekstilit. Është lloji i parë i një laboratori apo studioje në rajon, sa i përket përpunimit të tekstilit në vek. Gjithmonë e kam pasur pasion formimin e tekstilit. Para nja 5-6 viteve kam nisur të gjej materialet e thurura në vek. Ishte shumë e vështirë të gjeje se kush punon para se të vija në Shqipëri. Nxora fjalën që po kërkoja materiale të punuara në vek edhe njerëzit filluan të më kontaktojnë dhe të sjellin copa, të cilat i kanë ruajtur prej 40 apo 50 vitesh, të cilat i kanë varrosur gjatë luftës për t`i ruajtur. Pasi është një punë shumë e madhe ajo që bëhet në tezgjah. Unë fillova t`i punoja koleksionet nga ato materiale të vjetra. I ngjyrosja, i bëja plise dhe ato dolën koleksione fantastike, sepse patën një tregim më të thellë. Nga dëshira për të përdorur material, copa, të cilat nuk janë duke u përdorur nga stilistët e tjerë, më duhej të gjeja diçka që nuk është në treg. Kështu fillova të bashkëpunoja. Fillimisht bashkëpunova me një zonjë në Kosovë që punon në tezgjah. Pastaj kam punuar edhe me dy zonja të tjera në Shqipëri. Me Kristina Mjeda në Shkodër, punë fantastike dhe Terezë Gega në Lezhë. Përgjatë gjithë kohës që kam punuar me koleksionet e mia si Krenare Rugova, kam pasur pasion të hap laboratorin e tekstilit dhe kjo tashmë quhet KR Lab. Jam edhe me dy partnerë të tjerë, të cilat e kanë besuar prodhimin e kësaj ideje dhe të tekstilit ku punojmë me tezgjah digjital. Domethënë e dizenjojmë çfarëdo tekstili në mënyrë digjitale edhe pastaj transferohemi në teknikën e vjetër të tezgjahut. Ideja e laboratorit është që ky laborator shërben për kërkime, për dizajn dhe për prodhim të tekstilit. Për qëllim ka njëkohësisht, përpos produkteve që prodhon për Krenare Rugovën, e kemi për synim tregun e SHBA për të promovuar punën e tezgjahut atje dhe të promovojmë përmes kësaj prodhimin e tekstilit të qëndrueshëm. Se tezgjahu nuk kërkon shumë elektricitet për t`u prodhuar edhe në të njëjtën kohë, çfarëdo që fut në tezgjah, ashtu të del edhe materiali. Nëse fusim pambuk mëndafsh, ashtu të del edhe materiali. Qëllimi ynë është që në tezgjah të vjetër, tradicional të fusim penj të teknologjisë së re, në mënyrë që të nxjerrim teknika të reja të tekstilit për përdorime të ndryshme.

Mira Kazhani: M`u duk vetja sikur më fute në një muze me të shkuarën dhe me të ardhmen. Është shumë i bukur tezgjahu digjital. Kjo copa e fustanit që kam veshur unë është shumë e lehtë.

Krenare Rugova: Unë jam ithtare e materialeve natyrale. Është e lehtë, sepse është prej pambuku. Edhe në tezgjah do të punojmë copa prej pambuku, të leshta, llan, sepse e kemi të gjithë teknologjinë e përshtatshme për këtë veprimtari.

Mira Kazhani: Pyetje shkurt! Cila është ngjyra jote e preferuar?

Krenare Rugova: E kaltër.

Mira Kazhani: Këpucë apo atlete?

Krenare Rugova: Këpucë.

Mira Kazhani: Cilat atlete nuk i duron dot?

Krenare Rugova: Nuk di se s`jam shumë njeri atletesh.

Mira Kazhani: Asnjë palë atlete (qesh).

Krenare Rugova: Disa atlete.

Mira Kazhani: Çanta që u duhet të gjithëve, përveç të zezës? Marka dhe modeli…

Krenare Rugova: Një çantë që të zërë një fletore dhe një laptop.

Mira Kazhani: Cila është veshja tipike që të bën të dukesh se je Europian?

Krenare Rugova: Atë që e ndjen më të mirë për trupin.

Mira Kazhani: Pse nuk ke ti një sallon në Tiranë?

Krenare Rugova: Se do ta kem.

Mira Kazhani: Kur do ta kesh?

Krenare Rugova: Nuk e di. Tirana më pëlqen jashtëzakonisht shumë. Mendoj që është shumë vend ideal për të krijuar diçka këtu. Po e konsideroj shumë për mënyrën sesi mund ta lidh Krenare Rugovën. Mendoj që krejt zhvillimi i Tiranës do ta pranonte shumë mirë brand-in.

Mira Kazhani: Ku mund t`i blejnë njerëzit veshjet tuaja ndërkohë që ju nuk keni një pikë në Tiranë?

Krenare Rugova: Përmes faqes time online, jo vetëm në Instagram, në Webpage, e-shopping.

Mira Kazhani: Faleminderit Krenare Rugova!

Krenare Rugova: Faleminderit juve!

Mira Kazhani: Të uroj suksese!

Krenare Rugova: Faleminderit shumë!

Ky podcast u mbështet nga Abi Bank

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore