25 Rreshtat e Mirës

Për gratë që më frymëzojnë dhe një e-mail që mora para një viti e ca...

Për gratë që më frymëzojnë dhe një e-mail

Gratë që më frymëzojnë janë shumë. Nëna ime, motra, shoqet e mia, që janë përherë aty dhe papritur zbulon diçka të re. I sheh se si luftojnë luftërat e tyre dhe ndonjëherë të mësojnë prej shembujve personalë edhe gjëra të vogla: të mos e thuash shpesh se nuk fjete mirë mbrëmë, se nuk duhet ta bësh bozë duke u ankuar me insomnian. Mund të jetë një tjetër para teje që po bën një luftë më të madhe.

Jo të gjithë kalojmë oqeane, ndonjëherë janë gropat e ujit që ne i zmadhojmë, i bëjmë historizat drama, pengesat mure Berlinësh. Kështu, disa gra shërbejnë që gropën e ujit ta shohësh siç është dhe jo një det, lumë apo oqean. Ato që po të donin mund të vuanin ca më shumë por s'kanë kohë, se duhet dikush t’i mbarojë punët. Të qash e të mos çohesh nga divani është luks.

Që të mirëkuptohemi: vuajtje s'janë vetëm zhgënjimet prej burrave, divorcet, ndarjet apo dhuna. Gratë nuk luftojnë vetëm me një burrë dhe ky është çarku më i madh. Gratë luftojnë me mentalitete, me ekipe pune, skuadra apo qytete më vete. Jetojnë në redaksi, në spitale, në kompani të mëdha...

Mua më frymëzojnë edhe gratë e dobëta, ato që nuk dinë çfarë duan, që shajnë e bëjnë moral, që gjykojnë e bëhen marioneta të burrave. Gratë që nuk lexojnë romane, që nuk lodhen shumë. Gratë që, si kukulla të trishtuara, rrinë në kafene. I shoh dhe mësoj si nuk duhet të jem në jetë. I shoh dhe shpresoj mos të jem njëra prej tyre por sidomos uroj të ndryshojnë. Nga kjo frikë kontrolloj kujtimet, gërmoj edhe ato të ditës së kaluar, nëse diku ngeca dhe e shkela një parim. A mund të kisha refuzuar diku? A u solla siç duhet me dikë a disa? Po me veten? A mund të mos kisha lejuar që dikush të më trajtonte si vazo për dekor. Dhe ja pra: Jo gjithmonë jam krenare për veten.

Një histori e vërtetë!

Më kujtohet, në një emision televiziv, ku njëri nga burrat (i ftuar, si puna ime qe dhe ai) s'ma thoshte emrin dhe më drejtohej tërë kohës gjatë debatit "siç tha goca...".

Pas dy a tri muajsh më vjen një e-mail në postën time elektronike nga një botuese që jeton në Zvicër. Ajo më shkruante se kish ndjekur (e frymëzuar nga emisioni) ciklin e intervistave që kisha realizuar për dosjen Hajdari, në youtube për tre net rresht, duke qëndruar deri vonë. Historia e Haklajve është e tillë që vazhdon të ngjallë një etje dhe kurizotet të pazakontë.

Botuesja më tregonte sa shumë qe përfshirë në atë tematikë dhe se do donte të më takonte edhe nga afër kur të ishte në Tiranë, se mos dija edhe më shumë sesa aq! Tipike, por unë s’di më shumë nga intervistat e mia.

Por tani nis historia që dua të tregoj.

Në fund më ajo më shkruante se i kishte ardhur shumë keq që gjatë atij emisioni më erdhi shumë rrallë radha dhe se ai tipi që më quante "goca" ia kish ngritur qimet përpjetë nga nervat. Madje më pyeste: A u mërzite?

Unë mërzitur?! Unë as e dija që duhet të isha mërzitur. Kjo ishte më e keqja, se ashtu si edhe burrat në panel, kisha ikur prej aty e qetë dhe krenare se s'kish ndodhur asgjë për t'u lënduar. Nuk e mbaj mend vërtet a jam lënduar. Dhe nuk e besoj, sepse duhet të ma tregonte dikush, ta mësoja nga një e-mail i një gruaje të huaj. Ndoshta se ajo jetonte në qytetërim e dinte më mirë këtë? Vallë? Në kaq dhunë tek ne, qenka bërë heroike t’i ndjesh të gjitha format e saj.

Sa keq që nuk isha ndjerë e fyer. E dhimbshme, e tmerrshme. Më erdh turp! Apo ndoshta më mirë që jemi mësuar. Unë e di gjithmonë që burrat edhe kur s'dinë, moderatorët i dëgjojnë me shumë adhurim në panele dhe nuk i bie murit me kokë, se ndryshe bëhesh si gjinkallë në zheg.

Sa keq, sa turpëruese për një gazetare që s'mbron dot as veten e del të flasë për tema të mëdha me interes publik.

Nuk ia thashë kurrë e-mailshkrueses, por unë mësova prej atij mesazhi në inbox.

Dhe përpiqem të mësoj tërë kohës nga gratë që janë spektatore të kujdesshme të mentalitetit, të shoqërisë, që si minatore veçojnë mineralin në thellësitë e zeza. Gratë që e kanë ajrin e pastër rreth tyre dhe dinë çfarë është e mirë dhe e keqe për to.

Gratë që na frymëzojnë janë shumë, por sidomos nga vetja mund të nxjerrim plot mësime. I pari është të mos përshtatemi me të keqen. Të tjerat janë gropa të vogla uji ose pikëza loti që na ndihmojnë të përmirësohemi në historinë tonë të jetës.

Krenaria është një fushë e madhe, e madhe dhe ajo duhet ushqyer vazhdimisht.

Gëzuar 8 Marsin!

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]/ Tiranapost.al