25 Rreshtat e Mirës

Për Italinë gjithmonë PO!

Për Italinë gjithmonë PO!

Nuk duhet ta nisja nga Edi Rama, por po e nis gjithsesi.

Kryeministri ka marrë shumë ‘twitte përshëndetëse sot dhe duket se për herë të parë, ndoshta, është i vetmi prej nesh që ndihet sikur ecën mbi trëndafila, për shkak të famës që një gjest i vogël, thellësisht politik e në foto human, i jep një vendi dhe statuset e artikujt thonë: Grazie Rama!, Grazie Tirana! Në këto kohë të zymta kush nuk do donte të merrte pak frymëzim. Të tjerat, edhe po t'i kesh, nuk të hyjnë në punë. As liria, as paratë, as makina e jahtet e as toka që punon.

Në fakt, këtu diamantinët janë ata 30 mjekët (pa i hequr kryeministrit të drejtën e vendimit politik).

Burime të sigurta nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se ka bërë jo pak përshtypje telefonata me gjithsecilin.

E dini si janë përgjigjur ata? Po! Menjëherë! Nuk kanë kërkuar kohë si Merkel dhe G20. Nuk e kanë bërë këtë gjest se kanë njohuri gjeopolitike. Kanë thënë "po" pa menduar për interesa personale apo historike. Kanë thënë "po" se janë të mirë, se janë shqiptarë.

Asnjëri s'e di si do të kthehet dhe kjo siç është kuptuar është një luftë. Ata morën avionin për në betejë dhe do duhej që përpara nëpër foto mos t'u rrinin qeveritarët - ndoshta për çështje protokolli ose tradite, s'e di mirë me siguri! Shqiptarët kudo ku jetojnë janë të mallëngjyer me këtë moment që kulmoi si një nga lëvizjet më dinamike dhe të zgjuara të qeverisë, e cila po komentohet nëpër statuse si ai shembulli i vogël nga një vend i vogël përballë imazhit të dobësuar të vendeve të fuqishme, që po mendohen pak se çfarë mund të bëjnë për Italinë, ndërkohë që ajo është duke vdekur në buzë greminë.

Shembull: Gjermania në ditën më të zezë, kur s'kishte as 10 të vdekur në shtëpi, vendosi t'i mbyllë Italisë eksportin e maskave. Brukseli ajror! Ursula Von Der Leyen u shfaq tre javë pas Barbara D’Ursos duke larë duart me sapun.

Apo mbledhja e G20-ës, që këtë javë u mbyll pa asnjë rezultat. Do të mendohemi e do t'ju themi! Në Gjermani kjo metodë e fitimit të kohës thirret me emrin “Merkeln” - sjellje politike tipike e kancelares. Koha dhe hapësira janë dy nocionet e jetës dhe Conte u përgjigj matanë. Koha kohë s’ka më. O sot o kurrë e dashur Europë.

Me pak fjalë, BE-ja e ka lënë Italinë duke dhënë shpirt e duke përplasur krahët si flutur e trembur!  Tani që secili është në shtëpinë e vet e beson se veç ajo ka rëndësi nuk ka plotësisht të drejtë. Siç e shohim shtëpia s’po na mjafton dhe jeta me të tjerët është ç’ka më shumë po shpresojmë. Një pyetje:-

Po pse ekziston BE-ja atëherë? Pse ka një monedhë, rregulla tregu e lehtësira të përbashkëta? Fundja pse u krijua si bashkim, për të parë secili prapanicën e vet?! Shqipëria nuk ka kaluar ylberin dhe për ndonjë komentues që shkruan se ka merak kush do na kurojë ne, ne mos u bëfshim aq shumë sa Italia, është e vetmja shpresë!

Italisë, Shqipëria dhe shqiptarët i kanë detyrime historike dhe mund të tingëllojë e cekët, por edhe kur na kanë pushtuar e kanë bërë duke na ndërtuar. Shihni të vetmet ndërtesa që kemi në bulevard.

Ky vend i vogël nuk lahet me Italinë me 30 mjekë, por gjesti është mishërim dhe që mbahet mend. Me 12 apostuj udhëhoqi edhe Jezu Krishti.

Në këtë pikë kryeministri e bëri shumë mirë koshin e tij!

Tani duhet të ketë kuptuar që nuk lipset shumë rreptësi për shqiptarët në këtë kohë pandemie të cilët s’kanë lënë vend për ta bërë dhunën të domosdoshme për të mirën e tyre.

Kam parë video nga Nju Jorku në Lion duke u kapur për flokësh për një Nutella në supermarket dhe jo sikur jetojnë në shtete sociale, me sindikata, dinjitet e integritet. Ata po që po lënë nam me frikën për urinë.

Gjeni një rast tek shqiptarët?!

Në Shqipëri nuk ka pasur asnjë video turpëruese, asnjë zbrazje raftesh, asnjë sjellje (veç tregtarit të pazarit me të moshuarin) që të japë shenja injorantësh.

Shqiptarët kanë treguar të gjjthë se janë si ata 30 mjekët që thanë "po" sapo ua kërkoi shteti dhe ikën me divizën e tyre të bardhë e të qeshur me lehtësinë e papërballueshme të krenarisë. Ne nxëmë dhe bindeni për të mirën e përbashkët dhe e kemi zemrën mal me dashuri. Themi "po" me lehtësinë e qytetarisë!

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]