25 Rreshtat e Mirës

Për jetimët dhe nënat që i bëmë fotografi në lajme

Për jetimët dhe nënat që i bëmë fotografi në

Ka mendje kriminale në çdo vend, ka edhe në Gjermani, edhe në Amerikë edhe në Australi, në Etiopi, në Siberi, por të gjithë vuajnë vendin e tyre dhe flasin për hallin e vet. Në Shqipëri, në raport me popullsinë vrasjet e burrave ndaj grave, ndaj nënave të fëmijëve të tyre, të dashurës, bijës, janë një shenjë klinike. Ka një shumicë dërrmuese në gjendje klinike në këtë vend dhe nëse shëndeti mendor nuk do të jetë prioritet i programeve qeverisëse ky vend do jetë Atdheu i të sëmurëve klinikë që vrasin se nuk iu punon më aparati i burrit, që vrasin se bezdisen nga supa e ftohtë, që vrasin se vetëkonsiderohen të pabraktisshëm, se duhet t’i durosh kur duan të luajnë me shkopin e gomës një orë mbi trupin e gruas -siç rrëfente dy vite më parë për policinë viktima, nënë e tre fëmijëve nga Mirdita që u la e vdekur bashkë më vëllanë nga ish burri i dhunshëm. Ish burrit boll t’i shohësh foton, formën e kafkës dhe leshin e dendur në kraharor në një shkrepje selfie, e kupton çfarë është. Nuk duket sigurisht një mësues letërsie, është një pacient, një burrë që ka dashur trajtim dhe tani do vetëm ndëshkim.

Për jetimët dhe nënat që i bëmë fotografi në

Apo si burri i Durrësit që vrau pa mëshirë në supermarket gruan. Dhe audio e vajzës që qan e kërkon nënën e ekzekutuar të prish gjakun. Nesër ose pasnesër do e harrojmë!

Nuk ka më vlerë pyetja pse vrasin? Pse janë me kaq nerva? Pse janë kaq të pashpirt?

Vrasin se jetojnë në një vend ku e keqja relativizohet, ku injoranca është e gjithëpranuar si vlerë morale.

Vrasin sepse jemi mbushur me vrasës dhe kjo nuk zgjidhet më vetëm me gjyqtaren e pakorruptuar, e patrembur. Me policin që i jep intervistën denoncueses.

Nuk zgjidhet me një titull, me një deklaratë! Duhet marrë me seriozitet. Duhet që të shpallet prioritet kombëtar shëndeti mendor. Duhet që të subvencionohen psikologë dhe psikiatër sepse sot nuk është e lehtë të paguash një shërbim të tillë pa një rrogë të mirë. Shumica nuk e kanë këtë mundësi, po as kulturë!

Duhet sot një paketë e tërë masash si në politikat e shëndetit mendor, dhe ato sociale.

Që nga ndëshkimi i gjyqtarit/es që lehtëson ndëshkimin për burrat e vrasës. Sekuestrim i menjëhershëm i pronës pa të drejtë ankimi për burrat vrasës dhe nga ana tjetër, shkollimi dhe gjetja e një strehe për jetimët.

Vrasjet e sotme dhe dhjetëra e qindra të tjera që ndodhin harrohen shpejt me zhurmën dhe tronditjen e një titulli.

Vrasjet e grave nuk po merren seriozisht. Nëse po, ka rrugë e mënyra mjaft për të ndëshkuar e reduktuar terrorin e burrave vrasës.

Dhe meqë disa para do t’i futen Shqipërisë mund të gjendet një xhep për të punuar në këtë drejtim. Edukim dhe ndëshkim -rrinë bashkë. Lipset veç të merret seriozisht sepse po shohim çdo ditë fëmijë nënash që qajnë. Nuk kemi pse jemi jetimë në këtë vend!