25 Rreshtat e Mirës

Për mësuesit e Shqipërisë

Për mësuesit e Shqipërisë

Mësuesi ka gjithmonë të drejtë!

Dikur kjo ishte shprehja që dëgjoje më shumë dhe, okay, kishte dromca ekzagjerimi. Askush nuk ka të drejtë gjithmonë, pa ndërprerje. Vetëm Zoti!

Tani është e kundërta, “fëmija ka gjithmonë të drejtë”. Kjo është shumë më e rëndë dhe më e dëmshme për një shoqëri sesa deviza e vjetër.

Nuk është apologji sepse nuk e ka këtë privilegj një njeri i vetëm, as disa, por një vëzhgim disavjeçar për mësuesit që kanë humbur, janë bjerrur në epokën e të drejtave të fëmijëve, në epokën e shkollave private, përballë tekave të zengjinëve të rinj, të prindërve të paqartë, të trullosur, jo pa faj, nga një lumë informacionesh ku s'di njeriu i shkretë kë të marrë në konsideratë.

Ka shumë arsye pse mësuesi sot nuk ka më glorifikimin e duhur apo profilizimin, trajnimin dhe specializimin e duhur.

Kapitalizmi, shkollat private dhe pasurimi i shpejtë i disave e gjeti shoqërinë shqiptare të papërgatitur për t'u bërë europiane.

Kështu, vajzat veshën minifunde, burrat vunë bark dhe fëmijët e gjetën veten me më shumë të drejta sesa lodra, detyra shtëpie dhe ëndrra.

Për të mos u marrë shumë me koktejin e shkollave me emërime partiake, ku letërsinë e kanë dhënë edhe njerëz që Shekspirin e njohin për autorin e 'Don Kishotit'.

Tani prej vitesh zgjidhen nga portali, por prapë mësuesi nuk është më figura e padiskutueshme e shoqërisë, përkundrazi një nga më të diskutueshmet. Për këtë s'e kanë fajin të drejtat e fëmijëve që përmenda më lart. Ky është problem mësues-politika qeverisëse!

Që nxënës shumë të mirë të duan të jenë mësues fizike dhe që t'i nxitësh ata mos të bëhen të gjithë ekonomistë dhe juristë, boll të ndërtosh një skemë preferenciale pagash. Bëje sot rrogën e tyre sa të një ministri dhe do shohim sesi do nisin kërkesat. Nga ana tjetër, çështja më urgjente është se mësuesi dhe shkollat nuk është dhe as do jetë më kurrë statike si një herë e një kohë. Teknologjia dhe inovacioni kanë sjellë sot një realitet kryekëput të ri, të panjohur, ku sundon krijimi më shumë sesa mësimi. Tekstet mund të ndryshojnë çdo 4 vjet e çdo vit.

Mësuesit e së ardhmes do të jenë ata që bëhen krijues, që kanë të dhëna e talent për të thirrur të renë e fundit. Nuk janë vetëm tekstet për feminizmin që i mungojnë dhe do reformojnë shkollat, që do ishte bukur shumë nëse i futin edhe ato. Sot mësuesit janë nxënës për vete. Sot kërkohet një shkollë e re. Ose siç Migjeni po të jetonte sot në 'Komunën e Parisit' do shkruante për mësuesin e ri!

Njoh pafund prindër që tregojnë se çdo vit u ndërrojnë fëmijëve të tyre shkollën. Njoh intelektualë apo të pasur që nuk dinë ç'po ndodh me formimin arsimor të fëmijës së tyre. Që paguajnë shumë e në fund pesë me hiç. Pjesa më e bukur e vitit janë super ditëlindjet. Kurset e pianos, baleti, noti... të gjitha dëshmojnë një dëshirë e përkushtim shqiptar për t’i bërë fëmijët sa më të edukuar e të kulturuar. Por nuk është kjo fatkeqësisht fotoja e vërtetë, radioskopia reale e mësimit në Shqipëri. Shkolla do revolucionarizuar, shkolla do vendosë fatin e Shqipërisë në një treg inovativ. Jemi shumë vonë. Të paktën fusni Yuval Hararin në shkolla. Ose ta lexojë dikush si fillim!

Botën e kanë drejtuar mësuesit, se ç'do ishte Aleksandri i Madh pa mësues Aristotelin, Julius Caesari pa Mark Antony-n apo Gaius Marius apo Napoelon Bonaparte pa Adrian Greenberg. Askush nuk ka fituar i vetëm pa mësimet e dikujt.

Vetëm se tani mësuesit dhe nxënësit janë më afër se kurrë dhe shkolla si institucion ka nevojë për revolucion, sepse teknologjia na mëson se në botën e së nesërmes do vdesim nxënës, por shpresoj si nxënës të ditur!