25 Rreshtat e Mirës

Për të moshuarën e Vlorës, që nuk duhet të jetë kurrë vetëm!

Për të moshuarën e Vlorës, që nuk duhet të

Sot përfundova një serial dokumentar të Perandorisë Romake “Roman Empire”. Të gjitha familjet dhe historitë e secilit ngjajnë. I bashkon filli i ambicies për pushtet, gjaku, tradhtitë dhe përfundojnë kryesisht të vrarë. Një dialog i Jul Cezarit me Mark Antonin, mikun, këshilltarin e tij, i shkon për shtat "25 rreshtave" të sotëm për një grua të moshuar në Vlorë që qante para kamerës.

Shkurt: Jul Cezari qëndron disa muaj në Egjipt, ku bashkëjeton me Kleopatrën, më të cilën patën edhe një djalë. Në Romë i kish lënë qeverisjen Markut (ANTONI), i cili tregoi që ishte i mirë në betejë dhe pa pikë logjike në pushtet: verë, fruta dhe festa të ekzagjeruara. Zero talent për të drejtuar popullin!

Roma ndërkaq kalon në uri dhe Mark Antoni i mbyt protestat e urisë me dhunë. Kjo e acaron situatën deri në një luftë civile dhe e kthen Jul Cezarin me vrap në Romë.

-Pse, çfarë duhet të bëja unë? - mbrohet Mark Antoni. -Duhet të ndaloja një luftë civile.

E dini si përgjigjet Jul Cezari?

-Duhet vetëm t’i ushqeje. T'u shpërndaje grurë!

Ai në fakt mbahet mend për një perandor që dha punë, shtoi sasinë grurit, dhe sigurisht për pjesën tjetër përdori dhunë e bëri intriga. Por e njihte mirë fuqinë e grurit.

2020

Sot një e moshuar nga Vlora, që qante para kamerës e uritur për bukë ka bërë xhiron e rrjetit.

Ishte një kronikë televizive që sillte dëshpërimisht një realitet të dhimbshëm për disa kategori pensionistësh jashtë Tiranës, që kanë të qartë vetëm urdhrin e Ramës: Mos dil nga shtëpia!

Është e vërtetë që masat dragoniane të qeverisë për të mos i lejuar ata të dalin në emër të shëndetit, janë për mirë. Por kjo duhet shoqëruar me një plan të qartë e perfekt për shtresat si pensionistët, të vetmuarit dhe ata që jetojnë nën standardin e jetesës.

Pensionistja nga Vlora tregonte se nuk kishte kush t'ia bënte pazarin dhe se kishin fjetur duke pirë ujë me sheqer të dielën, pa bukë në shtëpi, me frikën se po vdisnin me burrin me barkun bosh.

Më pas zbulonte frigoriferin, ku kishte veç ujë. Ky rast duhet të jetë një dhimbje koke për kryebashkiakun e Vlorës dhe për qeverinë e Tiranës. Ne jemi vërtet në luftë, po kjo është një luftë biologjike dhe nuk na ka pushtuar ndonjë ushtri. Kemi një qeveri, kemi shtet dhe shteti është për këto ditë. Ne nuk krahasohemi me "i nonni italiani", që kanë pensione të mira, kursime. Ku kanë pleqtë e Shqipërisë?! Veç ata që kanë fëmijët dhe kujdesen për ta. Po sa ka të tjerë që janë vetëm, pa ndihmë? Këta duhen ndihmuar nga Vermoshi në Konispol. E dimë, nuk është hiç e lehtë dhe kjo krizë e paprecedentë për botën e kohën tonë zuri gafil shtete të zhvilluara dhe jo më Shqipërinë. Do të ketë kudo gabime edhe suksese. Përpjekjet janë të gjitha me zemër e serioze, por kjo shtresë kërkon një menaxhim perfekt. Si do ta marrin pensionin? Kush do t'ua marrë? Po pazarin kush do t'ua bëjë? Bashkia? Komshiu që ka marrë angazhim? Një studente? Një administratore? Çdo gjë duhet sqaruar në të gjitha bashkitë e vendit, përveç Tiranës, që duket se po funksionon.

Të gjithë ne duhet të ushtrojmë presion për çdo rast që mësojmë e të nxjerrim leksion që atyre që janë vetëm t'u themi #tinukdojeshkurrëvetëm

Fqinjët jo gjithmonë sot kanë raporte me ne. Unë kam 6 familje në katin tim dhe vetëm farmacisten njoha këto kohë. Po edhe nëse i njeh, jo gjithmonë mund të jenë të gatshëm dhe njerëz empatikë. Nuk mund ta lëmë këtë në dorë të fatit, as të komshiut, por në dorë të qeverive lokale. Lotët e të moshuarës së Vlorës të jenë një shkundje për të gjithë. Sepse nuk vret vetëm virusi. Sa të bën trishtimi dhe besimi që ke mbetur vetëm e as bukë nuk blen dot! Herë se s'të lënë të dalësh e herë se nuk merr dot pensionin ose se të ka mbaruar që në mes të marsit.

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]