25 Rreshtat e Mirës

Tiranapost apo TIP, qytet apo qytetërim

Tiranapost apo TIP, qytet apo qytetërim
Mira Kazhani, Themeluese e TiranaPost.al

Siç e dalloni, Tiranapost ka bërë disa ndryshime në imazh. Pas tre viteve jetë, e pamë të nevojshme një pjekurim dhe zhdërvjelltësi të artikujve dhe mënyrës së vendosjes së tyre në faqe. Shpresoj ta pëlqeni dhe së bashku të ndajmë një hapësirë informimi me më shumë etikë dhe estetikë.

TIP është rritur falë të rinjve që i janë bashkuar në kohë të ndryshme. Disa kanë qenë brilantë. Disa kanë kaluar si meteor, ka pasur edhe raste zhgënjyes, ka hyrë edhe ndonjë i paditur dhe sigurisht ka dalë shpejt. Nga përvoja mund të them një fakt interesant :-një i paditur nuk e di kurrë që nuk di dhe të gjithë përfitojmë nga kjo krenari. Ikën vetë!

Ne nuk jemi shumë në numër, mjaftojnë gishtat e njërës dorë për të na numëruar, por ky është sekreti. Nëse do që puna të bëhet, puno vetë dhe me një mini-skuadër. Filozofia nuk është të kapim lajmin e fundit, as fundin e një lajmi, as të gjejmë një fjalë, një Grua a një Burrë, e ta shesim atë sipas humorit pa e çarë kokën për pasojat që shkakton tek dikush, tek disa, tek faqja e lajmeve që kthehet në minë me sahat.

Kemi dhe disa fjalë të ndaluara. Nuk shkruajmë "ekskluzive" për çdo gomarllëk, skandal, -për çdo sherr banal, sherr -për çdo debat mjeran. Para njeriut nuk vendoset titulli, para lajmit mbetet interesi për informacion apo jo.

Nuk mendojmë se njerëzit publikë janë karremi për klikime. Klikimet çdo ditë i merr edhe horoskopi, por respektin e merr e besimi.

Kur nisëm, e dëgjoja shpesh: nuk do mbijetoni! Por ja ku jemi. Gjithnjë e më të fortë se dje, më të dobët se nesër. Gjithmonë me përpjekjen për të sjellë lajme dhe jo gjepura, kritika dhe jo sharje e sulme, letërsi dhe jo thashetheme, shëndetësi, arkitekturë dhe natyrisht kemi disa personazhe që i duam më shumë, disa që i harrojmë. Nuk ka media të paanshme dhe nëse ekzistojnë, asgjë nuk njan më e mërzitshme se ata që s'mbajnë dot një anë në botën e 2020-ës.

Faleminderit nga zemra për çdo artikull që postoni, Fabjola, Jearta, Elisa dhe bashkëpunëtorët nga jashtë si Erjon Uka (letrari i TIP) Marçela Lati, Iva Tiço, Silvana Mishtaku, Arlinda Dudaj, Stela Sallaku.

Eneida, që tani ka një punë të re, Klaudeta, që ka një jetë të re larg Shqipërisë apo Kristofori, që mezi pres ta shoh kryeministër (aktualisht ai studion në Gjenevë me një bursë si student i shkëlqyer). Ju jam mirënjohëse për çdo artikull që i dhatë "post" në Tiranapost.

Në fund, faleminderit lexuesve që na besojnë informacionin. Në vend të puthjeve, ju dërgojmë artikuj. Leximi është shoku më mirë në jetë, si netëve të pagjuma, si të dielave të stërzgjatura dhe në rrugë apo kafe kur ndodh e nuk ke dëshirë të përshëndetësh askënd, fshihu pas TIP!