25 Rreshtat e Mirës

Vëre maskën!

Vëre maskën!

Kushedi sa e mërzitshme është të lexosh prapë një shkrim për ‘koronën’, e fjala masa që të fut të dridhurat nga kuptimi i saj dhe lodhja nga përsëritja të jep një thikë në tëmtha, gjithashtu.

Rindezja e infeksioneve është një e papritur për Shqipërinë, aq më tepër me temperaturat e nxehta dhe me ditën kur kujtuam se iku flama me vetëm një rast pozitiv. As vapa nuk po e mund, dhe rastet janë shtuar përditë.

Tani, kjo është sidomos një çështje edhe e jona që kërkon një lloj përgjegjshmërie, sepse për fat të keq ne e luftuam Virusin vetëm me izolimin dhe tani që vihet në provë shteti dhe shoqëria të dy Sh-të nuk janë në lartësinë e duhur, këtë e dimë e mos lodhemi kot me gjet arna. Në dorën tonë është të kujdesemi. Të vendosim maskën kur futemi në ambiente të huaja, të respektojmë sa mundemi normat e reja të normalitetit të ri, higjienës, dhe të jetojmë, punojmë e pushojmë. Në Amerikë ka një ndërgjegjësim të lartë për maskën, ndërsa jo për faj të njerëzve teoritë turlilloj për maskat, mos e vër pastaj vëre, po del vaksina po mos e bëj, ka mikroçip, do kesh televizor brenda në lëkurë, po na numërojnë, po na gënjejnë. Sikur të gjitha të qëndrojnë, a humbasim gjë nëse ruajmë veten dhe tjetrin? A po vdesin njerëz, ende? Po. A po infektohen? Po. A keni një shtëpi me Herkulë apo me prindër e gjyshër që kanë sëmundje që mund t’i ndëshkojë keq virusi që herë shfaqet pa shije, herë me diarre, herë më marrje fryme deri në vdekje.

Prandaj, vëre maskën kur takon dikë, (pa i dhënë dorën) kur blen diçka, dhe kur hyn në një ambient të ri. E mirë nuk është, dhe unë s ‘kam në plan ta mbaj tërë kohës, por me vete po dhe ku të jetë e nevojshme do ta përdor.

Po rrethohemi me virusin dhe para se të forcojmë stigmën e paragjykimin ndaj tij, -unë e para e paragjykoj- duhet të forcojmë masat. Ah sa fjalë koti është po sa vlerë ka sot.

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]