Bëje me Arkitekt

3 hapa si t'i shtojmë butësinë e duhur shtëpisë

Ingrid Martini, Arkitekte/ Ajo për të cilën kam zgjedhur të flas sot, është një temat që i shtojnë butësi ambienteve tona, zonave të ndenjes, kolltukëve, kanapeve, krevateve, dyshemeve. Janë pikërisht jastëkët.

Duken si një detaj pa rëndësi, e ku secili prej nesh mund të jetë mjaftueshëm në gjendje për të bërë një zgjedhje, por në fakt, nuk është aspak e lehtë të kombinosh përmasat, materialet, dizenjot, e ngjyrat.

Jastëkët mund të bëjnë një ndryshim të madh. Ato mund ta bëjnë shtëpinë të ndihet më ftuese e t’i japin asaj personalitet me gjallërinë e ngjyrave dhe motiveve. Ndaj nëse doni të rinovoni një dhomë në mënyrë te shpejtë, është shumë efikase të shtoni jastëkë të rinj apo tu ndryshosh këllëfin jastëkëve ekzistues.

Sigurisht që, materiale të çmuara, do te ishin shumë të preferueshme, por ato kanë një kosto më të lartë. Ndaj një truk shumë funksional është që të miksoni materiale të cilësive e çmimeve të ndryshme. Kjo do të bëjë që të keni brenda një buxheti kompakt , një rezultat luksoz. Po si? Pikërisht  si fotot në vijim.

SË PARI, ZGJEDHIM NJË PALETË NGJYRASH

Çështja është të  ndajmë mendjen, nëse duam një shije me ngjyra vibrante, pop, ose një shije pak më delikate dhe ton mbi ton.

Kontrastet, në përgjithësi, shtojnë energji, dinamizëm.

Jastëkët e veshur me pëlhura të së njëjtës familje ngjyrash, e mbajnë situatën më të qetë, dhe të japin mundësinë të kombinosh motive të ndryshme.

SË DYTI, KRIJOJMË TEKSTURË

Vendosni përballë materiale dhe motive të ndryshme.

Provoni të mbivendosni beze me një prekje artistike, të tipit të endura me vija, me qendisma, me aplikacione, me xhufka

Një miks motivesh, pëlhurash, dhe teknikash krijojnë një teksturë fantastike dhe një interes shume të madh vizual.

SË TRETI, SHTOJMË THELLËSI

Të luash me shkallën e motiveve, i shton thellësi një ambienti.

Ndaj, përpiquni të bëni bashkë, jastëkë në forma e dimensione të ndryshme, si edhe të mbivendosni motive të vogla e të mëdha. Kjo do t’u japë ambienteve tuaja një pamje më dinamike, më të freskët, më ftuese, e asnjëherë të mërzitshme.

Shembulli i mëposhtëm, do t’ju tregoje se si i njëjti kolltuk, mund të perceptohet në mënyra të ndryshme e t’i japë një shije të caktuar dhomës, vetëm në bazë të jastëkëve që e dekorojnë atë. Shfletoni galerinë për më shumë foto./ Blogu – Bëje me Arkitekt/ Copyright Tiranapost.al