Aktualitet

A jeni për Maqedoni të pavarur? 28 vite nga referendumi që e shpalli shtet sovran. Politika shqiptare uron përmes letrash

A jeni për Maqedoni të pavarur? 28 vite nga referendumi që e

Sot bëhen 28 vjet që kur Maqedonia, sot me emrin Maqedonia e Veriut, pas një marrëveshje te sukseshme me Greqinë, shpalli pavarësinë nga ish federata Jugosllave. Pavarësia erdhi pas një referendumi popullor që e shpalli shtet Sovran dhe të pavarur.

Mbi 95 për qind e qytetarëve që dolën në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, iu përgjigjën pozitivisht pyetjes së referendumit “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë”. Shumë gjëra kanë kaluar deri atëherë, por tani Maqedonia e veriut pret një përgjigje pozitive të negociatave, në muajin tetor, me politikanët të cilët flasin për përmbushje të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian.

Me rastin e 28 vjetorit, politikanët shqiptarë kanë dërguar letra homologëve të tyre. Lexojini si më poshtë: 

Presidenti Meta i ka dërguar një mesazh urimi presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski me rastin e 28-vjetorit të Pavarësisë:

“I nderuar Zoti President,

28-vjetori i Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, më jep kënaqësinë e veçantë që të përcjell, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet e përshëndetjet më të ngrohta, të përzemërta e vëllazërore për Ju dhe të gjithë qytetarët Tuaj.

Shpreh bindjen time se, falë edhe vullnetit, eksperiencës dhe vizionit Tuaj, marrëdhëniet e shkëlqyera të fqinjësisë e të bashkëpunimit, që ekzistojnë ndërmjet vendeve dhe popujve tanë, do të forcohen më tej në të ardhmen.

Dëshiroj të theksoj se një ndikim shumë të madh në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve ka luajtur dhe luan adresimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndëretnike. Jemi krenarë për kontributin jetik që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut japin për stabilitetin dhe integrimin euroatlantik të vendit. Jam i bindur se komuniteti maqedonas në vendin tonë do të vijojë të jetë një urë e fortë miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.

Përfitoj nga rasti t’Ju përgëzoj për vizionin dhe guximin në arritjen e Marrëveshjes historike të Prespës – një shembull për gjithë rajonin – që jo vetëm do të forcojë perspektivën euroatlantike të vendit Tuaj, por do ta bëjë rajonin tonë edhe më të sigurt. Jam i bindur se vendet tona do të bashkëpunojnë ngushtësisht në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe në rrugëtimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian.

Së bashku me urimet më të mira e të përzemërta për zhvillimin e përparimin e mëtejshëm të vendit Tuaj, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”.

 

Letra E Metes

Meta Pendarovski

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dërguar një letër urimi Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi:

"I dashur Talat,Me rastin e 28 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal, Ju dërgoj urimet më të mira për përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, mirëqenien e qytetarëve të saj dhe suksese në rrugëtimin e saj europian. Nëpërmjet Jush i dërgoj urimet më të mira Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, qytetarëve të vendit tuaj dhe një urim vllazëror shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende fqinje, e mike, në një partneritet të ngushtë në kontributin e tyre për zhvillimin, paqen dhe sigurinë në rajon.Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende me një rol vendimtar në zhvillimin, paqen dhe stabilitetin në rajon.Të dy vendet tona janë aktualisht drejt kurorëzimit të përpjekjeve të tyre për çeljen e negociatave të pranimit me Bashkimin Europian.Jam i lumtur të konstatoj se shqiptarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut kanë dhënë një kontribut të pazëvëndësueshëm në zhvillimin, përparimin e stabilitetin e vendit si edhe përshpejtimin e proceseve të integrimit europian dhe atlantatik.”/ Tiranapost.al E.B

Ruci Xhaferi (2)