Shqiptarët në botë

A mund të bësh bashkim familjar nëse ke Green Card në Amerikë? Avokati shpjegon të gjitha procedurat

A mund të bësh bashkim familjar nëse ke Green Card në

Ata që kanë Green Card në SHBA mund të bëjnë bashkim familjar me fëmijët që kanë në Shqipëri. Por si dhe çfarë procedurash duhet të ndiqen? Avokati Kieran Both tregon procedurat deri në arritjen e bashkimit të familjes, marrë shkas nga një rast konkret:

LETRA/ Përshëndetje Z. Both. Ka një vit që kam marrë green card në Shtetet e Bashkuara. Djali im jeton në Shqipëri me nënën e tij dhe së shpejti pritet të mbarojë shkollën e mesme. Është 17 vjeç dhe së shpejti do të mbushë 18. Tani kam një punë të mirë dhe jam në gjendje ta mbaj nëse vjen të jetojë me mua. Dua t’ia bëj dokumentat që të mund të vijë dhe të jetojë në këtë vend të madh. Çfarë mund të bëj që ai të marrë green card? Faleminderit për ndihmën tuaj. 

AB

Yonkers,  NY

Një rastësi e bukur që na keni kontaktuar pikërisht tani. Është shumë e rëndësishme që ta dërgoni kërkesën sa më shpejt! Nëse prisni shumë gjatë, djali mund ta kalojë moshën dhe atëherë do t’ju duhet të prisni shumë më gjatë për të marrë green card.

Që një pjesëtar i familjes të pajiset me green card, nevojitet të dërgoni formularin I-130, Petition for Alien Relative, të paraqisni prova që tregojnë që keni statusin e rezidentit të përhershëm si dhe të dërgoni dëshmi që provojnë lidhjen, e cila ju kualifikon për të bërë kërkesë, që keni me pjesëtarin në fjalë, siç është p.sh. çertifikata e lindjes.

Tani për tani djali juaj konsiderohet ende fëmijë sipas ligjeve të emigracionit të SHBA-së. Sipas përkufizimit, “fëmijë” quhet ai person që nuk është i martuar dhe që nuk ka mbushur moshën 21 vjeç. Në momentin që fëmija juaj mbush 21 vjeç, ai konsiderohet “djalë i rritur” dhe kjo sjell ndryshimin e kategorisë preferenciale. Kjo është diçka shumë e rëndësishme, pasi koha që i duhet të presë përfituesit për të marrë vizë bazohet pikërisht në kategorinë preferenciale. Numri i vizave për emigrim për individë të një “kategorie preferenciale” zakonisht është i kufizuar, kështu që nuk ka gjithmonë viza në dispozicion. Duke qenë se për disa nga kategoritë, në një vit të caktuar, kërkesa për vizë është me e lartë se oferta, krijohet një radhë për viza (listë pritjeje). Për të shpërndarë vizat mes të gjithë kategorive preferenciale, Departamenti Amerikan i Shtetit (DOS) i jep vizat duke caktuar numra vizash sipas kategorisë preferenciale dhe datës prioritare përkatëse. Data prioritare shërben për të vendosur se në cilën pikë ndodhet një person i caktuar në radhën e vizave. Kur datës prioritare i vjen radha, personi kualifikohet për të bërë aplikim për vizë emigracioni.

Nëse e dërgon peticionin për bashkim familjar tani, ai peticion do të jetë i kategorisë F2A (të bashkëshortëve dhe fëmijëve të një rezidenti të përhershëm). Pikërisht tani i ka ardhur radha datës prioritare të kategorisë F2A. Kjo do të thotë që Qendra Kombëtare e Vizave (NVC) e Departamentit të Shtetit, do të mund të marrë në shqyrtim peticionet e dërguara tani. Për të tretin muaj radhazi, F2A-së “i ka ardhur radha” për të gjitha vendet e origjinës së atyre që kanë bërë kërkesë.

Nëse mundeni, përfitoni nga kjo gjë, sepse gjasat janë që nuk do të zgjasë përtej vitit të ri tatimor që fillon më 1 tetor, 2019. Për ata që janë në proçes konsullor, bëhuni gati dhe nëse mundeni, dërgoni dokumentat që ju kanë mbetur sa më parë. Gjithashtu për ata që janë në proçes të marrjes së green card-ës, USCIS-i sqaroi përmes Buletinit të Vizave që bashkëshortët dhe fëmijët e vegjël të atyre që janë pajisur me green card, mund të dërgojnë bashkarisht formularët I-130 dhe I-485 në gusht dhe shtator 2019. Ata që kanë dërguar tashmë formularin I-130, pavarësisht nëse u është aprovuar ose jo, mund të dërgojnë formularin I-485 në gusht dhe shtator 2019.

NVC-ja nuk mund të lëshojë viza nëse nuk është aprovuar më parë formulari I-130 nga USCIS. Koha e shqyrtimit varion nga 4-20 muaj në varësi të filialit që do të vendosë për peticionin. Kjo është një arsye më tepër për të dërguar sa më parë aplikimin.

Nëse e shtyni gjatë, vonesa do të jetë tepër e madhe. Nëse e vononi dërgimin e peticionit, do të shtyhet dhe data prioritare dhe kategorisë së vizës mund t’i ketë ikur radha. Dhe atëherë 21 vjetori i lindjes do t’i afrohet rrezikshëm datës së marrjes në shqyrtim. Nëse ndodh diçka e tillë, atëherë atij do t’i kalojë mosha dhe peticioni do të kthehet në të kategorisë F2B (djemtë dhe vajzat e rritur të pamartuar të një rezidenti të përhershëm). Data prioritare për kategorinë F2B është 1 qershor, 2014. Kjo nënkupton një periudhë pritjeje për vizë prej jo më pak se 5 vjetësh. Pra, nëse aplikon kur të jetë bërë tepër vonë, atij do t’i duhet të presë edhe 5 vjet të tjera!

Në vija të përgjithshme, nëse një person është nën 21 vjeç në kohën kur datës së marrjes në shqyrtim i ka ardhur radha dhe aplikuesi bën menjëherë kërkesë për vizë, fëmija mund të mbrohet nga ligji për Mbrojtjen e Statusit të Fëmijës (CSPA). Sipas këtij ligji, ruhet klasifikimi “fëmijë” që emigracioni i ka bërë përfituesit, në rast se ky i fundit e kalon moshën për arsye të stërzgjatjes nga ana e emigracionit të kohës së shqyrtimit të çështjes. Rregullat në këtë rast janë të ndërlikuara dhe nëse egziston mundësia është mirë që të shmanget rreziku i kalimit të moshës.

Pasi NVC-ja t’ju njoftojë që do të marrë në shqyrtim çështjen e vizës së djalit tuaj, do t’ju kërkohet të paguani tarifat dhe të bini dakort që të bëheni mbështetësi financiar i tij duke mbushur dhe paraqitur formularin përkatës I-864. Nëse nuk i përmbushni kriteret financiare, atëherë do t’ju duhet të gjeni dikë tjetër që ta marrë përsipër këtë gjë. Do t’ju duhet gjithashtu të paraqisni një dëshmi të statusit tuaj, si p.sh. një fotokopje të green card-ës (nga të dyja anët) si dhe një dokument që dëshmon që ai është djali juaj. Djalit do t’i kërkohet të mbushë formularin DS-260  – Application for Immigrant Visa and Alien Registration. NVC-ja më pas do t’ia kalojë peticionin konsullatës përkatëse amerikane dhe djali do të vihet në dijeni sesi duhet të veprojë më pas. Ky proçes njihet si “Proçesi Konsullor”. Shpresojmë që ta shohim djalin tuaj në Shtetet e Bashkuara pas intervistës! / Panorama/ Tiranapsot.al.

avokati