Aktualitet

Administrimi i pallateve. Masat e reja për qytetarët

Qytetarët e Tiranës të cilët jetojnë në pallate, qofshin këto objekte të vjetra të ndërtuara para viteve ’90 apo të ndërtuara së fundmi, janë të detyruar të paguajnë administratorin e pallatit, i cili do të përgjigjet për çdo problematikë që haset në mjediset e përbashkëta.

Bashkia e Tiranës është institucioni përgjegjës i cili tashmë ka marrë në dorë zbatimin e ligjit për “Administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit” të miratuar në muajin prill të vitit 2009.

Sa do të paguajnë banorët për administrimin e pallateve?

Pagesat gjithmonë do të jenë në varësi të hyrjeve që ka një pallat, ndërkohë që një administrator mund të marrë nga 8 deri në 10 hyrje pallatesh në administrim. Për pallatet e reja pagesat mesatare kryesisht janë 1000 deri në 1200 lekë në muaj, duke përfshirë këtu mirëmbajtjen e ashensorit, pagesën e pastrueses, pagesën e administratorit si dhe një pagesë për shpenzime për nevoja të pallatit. Kurse për pallatet e vjetra të ndërtuara para viteve ’90 banorët do të paguajnë një shumë prej 400-500 lekë. Asambleja dhe kryesia e pallatit janë “institucioni” që përcakton pagesën mujore për administrimin e pallatit.

Për pallatet e reja kjo pagesë shkon nga 1000-1200 lekë në muaj ku përfshihet pagesa e ashensorit, pagesa e pastrueses së bashku me paketën higjeno-sanitare, pagesa e administratorit si dhe një pjesë për shpenzimet. Ndërkohë për pallatet e ekzistuese, kjo pagesë është më e vogël 400-500 lekë duke përfshirë mirëmbajtjen e shkallës dhe paketën higjeno sanitare. Gjithmonë pagesa ndryshon në varësi të hyrjeve që ka pallati.

Pallatet e vjetra

Duke qenë se janë pallate pa ashensor shpenzimet bazike janë më të thjeshta, me tarifa të ulëta sepse janë banorët ata që përcaktojnë tarifën te 400 lekë ose 500 lek të reja. Interesimi më i madh ka qenë nga ato pallatet me tulla të cilët nuk kanë një termoizolim të mirë dhe kanë nevojë për ndërhyrje në fasadë. Madje vetë banorët e këtyre pallateve pohojnë se vendosja e një administratori do të ishte proçesi i duhur. Sipas proçedurës së përcaktuar, bërja e fasadave të reja do të jetë një pagesë e përbashkët mes banorëve të pallatit dhe bashkisë së Tiranës. Administratorët do të paraqesin projektin, ku 50% e fondit do të financohet nga bashkia e Tiranës dhe 50% nga banorët e pallateve.

Sa do të paguhet një administrator?

Në administrimin e proçesit që po kryen bashkia e Tiranës një nga pikat që diskutohet është edhe pagesa e administratorit. Sipas Drejtorit për Zhvillimin e Marrëdhënieve me Komunitetin dhe Njësive Administrative në bashkinë e Tiranës kjo pagesë nuk duhet të jetë më e ulët se paga minimale./ Përshtatur nga Albanian Free Press/Copyright TiranaPost.al