Aktualitet

154 raste sot. Nuk do të ketë më karantinë, por Brataj tregon çfarë masash mund të rikthehen në vend

154 raste sot. Nuk do të ketë më karantinë, por Brataj

154 raste të reja me koronavirus u konfirmuan ditën e sotme nga Ministria e Shëndetit, dhe 5 persona që ishin shtruar në spitalet e Covid nuk e fituan dot betejën për jetën. Situata shqetësuese që po vijon prej ditësh ka rikthyer debatin e rikthimit të masave kufizuese. Pas Silva Binos e cila tha se kjo do të shihet në vijim, edhe drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj ka thënë se po shihet mundësia për shtrëngim të masave, nisur nga rastet e shumta të reja ditore me koronavirus, dhe qytetarëve që nuk po ndërgjegjësohen. Megjithatë ai thekson se nuk bëhet fjalë që të rikthehet karantina. 

Por çfarë mund të rikthehet? Në intervistën për Report Tv Brataj tha se me rikthim masash nënkupton mbylljen e bizneseve që kthehen në vatra infeksioni, si lokalet apo supermarketet në të cilat janë raportuar raste apo me vatër infeksioni.

Skënder Brataj: 

“Është thënë disa herë se në korrik e gusht të infektuarit do ishin në rritje. Gushti do jetë kështu. Mendoj se pas gushtit do vlerësohet respektimi i masave. Numri vjen nga lirimi i masave.  Tani ka filluar përdorimi i maskës në ambiente të mbyllura dhe shpresoj që në shtator të shikojmë efektet. Masat janë të lidhura me numra. Edhe aty ku ishin shifrat shumë të ulëta po kthehet sërish.

Nuk flitet për karantinë. Shtrëngim të masave mund të ketë. Të pjesshme ose të detyrueshme. Nuk mendohet për mbyllje, izolim, karantinim. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen. Nëse nuk ka më burime spitalore dhe njerëzore, detyrimisht do ketë masa shtrënguese.

Është në dorë të qytetareve të respektojnë masa. Nuk mund të ecin të ndarë institucionet me qytetarët. Duhet të ulin kontaktet. Nuk ka pse të ketë mbyllje nëse ulim numrin e infektimeve. Nëse bëhet një kontroll i rreptë i masave ulet dhe infeksioni. Po shohim mbyllje lokalesh. Aty ku vatra është e madhe. Mund të ketë mbyllje të një vatre, të një biznesi që ka një numër të madh të infektuarish. Kur flasim për mbyllje nuk flasim për mbyllje të pa kontrolluar. Për dy deri në tre javë. Bizneset duhet të vihen në lëvizje për të respektuar masat. I bëjnë të keqen vetes”.