Aktualitet

40 vjet në detyrë, koronavirusi i merr jetën mjekut nga Puka

40 vjet në detyrë, koronavirusi i merr jetën mjekut nga Puka

Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot ndarjen nga jeta të DR. Hysni Shkjaut, i cili nuk e fitoi dot betejën me COVID-19.

Mjeku 69-vjeçar, me 40 vite eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës.

Luftonte prej disa ditësh me COVID19 në spitalin infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese.

“Është një humbje e madhe për sistemin shëndetësor, humbja e një mjeku që i ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm për 40 vite komunitetit të tij”, shkruan Ministria e Shëndetësisë në njoftimin zyrtar.

Para Shkjaut u nda nga jeta edhe një tjetër mjek, hematologu Arjan Pushi.