Aktualitet

41 gradë sot! Erjon Braçe: Të flasim për klimën, o sot o kurrë!

41 gradë sot! Erjon Braçe: Të flasim për klimën, o

Erjon Braçe në një intervistë dhënë për Report TV, ku ka shkëputur një pjesë ku flet për Tiranën dhe çdo qytet në Shqipëri, shpreh nevojën për të kapur orën për çështjet e klimës.

Ai vlerëson Veliajn për investimet me shkollat, si një nga arritjet e kryebashkiakut dhe thotë se sot falë arkitektit që ka hartuar Planin Urbanistik të Tiranës, Stefano Boeri duhet të bëhet më shumë për klimën që ky qytet të mos matet sa para ke, por sa cilësi ka.

Braçe: “Në Tiranë është bërë shumë punë, sidomos ajo që është bërë me atë që është thelbi dhe energjia e një qyteti: nuk janë rrugët, por ajo që është bërë me shkollat, çerdhet, kopshtet është e jashtëzakonshme. Model! Ato shkolla janë zemra e këtij qyteti. E ardhmja e këtij qyteti dhe t’i japësh të ardhmen një qyteti nuk është pak. Ai djali ia ka dhënë duke u fokusuar shumë fort atje.

Por unë mendoj që kaq nuk mjafton. Tani sfidat janë komplet të tjera. Po numëroj ditët që kur ka hyrë vera të temperaturave mbi 35 gradë. Deri vjet numëroja ditët me temperatura mbi 30 gradë. Këtë vit po numërojmë ditët me temperatura mbi 35 gradë. Janë bërë mbi 40. Me temperaura të tilla, në një qytet si në Tiranë, duhej menduar komplet ndryshe.

Ai djali ka një avantazh shumë të madh që ka për Tiranën një prej arkitektëve më të mirë në botë për transformimin e qyteteve në xhungla të gjelbra, që është Stefano Boeri. E ka këtë avantazh. Duhet të ndërtojë një plan se si në këtë qytet ulen temperaturat.

Ulja e temperaturës do të thotë më shumë gjelbërim, më pak beton, do të thotë më pak karbon e kështu me radhë. Do të thotë mirëqenie për të gjithë qytetarët. Do të thotë qytet i jetueshëm. Duhet të jetë një qytet ku mirëqenia nuk varet nga paratë që ke, por nga cilësia e jetës, e shëndetit, ajrit, e gjelbërimit e shërbimeve në këtë qytet.

Patjetër duhet të ndryshojë dhe Erion Veliaj në këtë aspekt. Pra na duhet një plan komplet tjetër për Tiranën. Na duhet një plan që e kthen jetën në këtë qytet jo në bezdi po në mirëqenie.”


Ndërkaq, dje, në një takim me Kryeministrin, kryebashkiakët folën dhe dhanë llogari për borxhet dhe taksat e mbledhura të bashkive, por klima nuk ishte pjesë diskutimeve, edhe pse në një takim me kondicioner dhe në pikun e temperaturave.