Aktualitet

I kursejmë strapacimin moshës së tretë! 53 shërbimet e ISSH-së që i bën direkt nga e-Albania

I kursejmë strapacimin moshës së tretë! 53 shërbimet e

Në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Durrës, këtë të martë, kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Financave Anila Denaj, drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Linda Karçanaj dhe kreun e ISSH Astrit Hado, panë nga afër funksionimin e shërbimeve online.

Janë 53 shërbime online të ISSH në e-Albania të cilat kanë krijuar një tjetër qasje të ofrimit të shërbimeve publike për moshat e treta duke shmangur ecejaket nëpër sportele e pritjet e gjata, sidomos në kushte pandemie.
“Zgjidhja me 53 shërbimet e ISSH ka krijuar një realitet të ri me ofrimin e shërbimit, na e faktojnë këtë shifrat e deritanishme. Nga janari deri në shtator janë 194 mijë aplikime të bëra të ISSH, 92 mijë nga këto me vulë elektronike të menjëhershme. Pra nuk ka pasur asnjë nevojë të vihej në sportel, ndërkohë që 46% janë përdorur nga grupmosha mbi 60 vjeç që do të thotë se edhe mosha e tretë arrin ta përdorë portalin. E merrni me mend sesa lodhje, sesa strapacim i kemi kursyer moshës së tretë në këtë periudhë pandemie”, u shpreh drejtoresha e AKSHI-t teksa u ndal te një prej shërbimeve më të përdorura, “Aplikim për pension pleqërie” ku janë eliminuar 14 dokumente shoqëruese të cilat më herët i kërkoheshin aplikuesit.

“Kemi shmangur jo vetëm varavingot nëpër zyra por edhe 14 dokumetet shoqëruese. Janë hequr 14 dokumente shoqëruese të cilat nuk gjenerohen më nga aplikuesi por nga punonjësit e ISSH nëpërmjet sistemit të dedikuar dhe portalit e Albania. Pra nuk ka më asnjë arsye të mbahet radhë, të rrezikohet jeta e të moshuarit, ai thjesht aplikon, ISSH i gjeneron dokumentet, i plotëson dosjen vetë dhe ai pret vetëm pensionin e parë. Kush aludon se e-Albania nuk është për moshën e tretë, faktet na tregojnë të kundërtën. Janë 24 500 aplikime për pension pleqërie nga 1 janari”, tha Karçanaj teksa kryeministri Rama u ndal më tej edhe te ‘tranzicioni’ përmes të cilit kanë kaluar vendet të cilat kanë kaluar online ofrimin e shërbimeve publike.

I kursejmë strapacimin moshës së tretë! 53 shërbimet e

“Kjo është për ata që thonë s’ka ndryshuar asgjë, administrata është po ajo… Faktikisht ka ndodhur një ndryshim historik.Tani duhet që vetë qytetarët të shmangin kontaktet fizike me administratën sepse te kontaktet fizike duhet ta pranojmë që ka akoma probleme, zvarritje, ka akoma shqetësime pasi rritja e nivelit të vetëdijes dhe edukatës së administratës është diçka që do kohën e vet, nuk mund të bëhet thjesht duke shkuar në Gjermani e Francë e duke parë pasi aty bëhet fjalë për qindra vjet traditë as për një e dy dekada. Në këtë mënyrë shteti vjen në xhep, jo dora në xhep e një nëpunësi por shtetin e ke në iphone, në shtëpi, në kompjuter…

Dhe ata që thonë që e-Albania është për të rinjtë gabojnë sepse faktikisht ne e kemi parë edhe te platforma e bashkëqeverisjes, edhe te e-Albania që të moshuarit janë përdorues më të rregullt të kësaj forme, marrin shërbimin, kursejnë ecejaket nëpër diell e nëpër shi, tek kompjuteri i shtëpisë, me nipin me mbesën, te fqinji, e zgjidhin këtë gjë. Dhe ajo përpjekja për ta zgjidhur këtë gjë aty është shumë më e ëmbël sesa përpjekja për të ardhur e për të mbajtur radhë këtu”, u shpreh kryeministri Rama.

Sipas drejtoreshës së AKSHI deri në fund të vitit do të kalojnë online edhe 392 shërbime për të përmbushur kështu finalizimin e digjitalizimit të shërbimeve publike. Sipas Karçanajt, 92% e shërbimeve publike, do ofrohen me një klik në platformën e-Albania.