Aktualitet

7 marsi, festa e mësuesit. Sot 137 vite nga Mësonjëtorja e parë Shqipe në Korçë!

7 marsi, festa e mësuesit. Sot 137 vite nga Mësonjëtorja e

Kjo datë ka filluar të kujtohet që nga viti 1960-të, kur shteti Shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të të parës Mësonjëtore shqipe të Korçës e cila u themelua me 7 mars 1887.

Festa e mësuesit në rrafshin kombëtar shërben për t’i vlerësuar traditat më të mira të shkollës shqipe, figurën e mësuesit, por edhe gjithë punonjësve të arsimit si edukatorë të brezit të ri dhe si kontribuues aktiv të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare.

Më 7 mars, ditë e shpallur me një vendim të qeverisë shqiptare si “Dita Kombëtare e Mësuesve”, mbushen 137 vite nga krijimi i Mësonjëtores së parë Shqipe në qytetin e Korçës.

Mësonjëtorja e Korçës ishte qendër e rëndësishme për formimin kulturor dhe ngritjen e ndërgjegjes dhe moralit në popull. Ajo nxiti edukimin patriotik të brezit të ri e të masave të gjera.

Veç të tjerash kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë dhënia e mësimeve për shkak të pushtimit osman bëhej privatisht brenda shtëpive në mënyrë të fshehtë. Kështu, që nga ajo ditë, 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesit për të përkujtuar atë ngjarje të rëndësishme kulturore dhe historike.

Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vite. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj.

Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar dhe me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen dhe pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm për luftën për liri dhe pavarësi.

Përhapja që mori në vendin tonë, mësimi i gjuhës amtare pas çeljes së Mësonjtores shqipe të Korçës, bëri që shkolla të hynte në histori si pionierja e arsimit tonë kombëtar dhe dita e çeljes së saj të bëhet festë kombëtare.

Çdo vit, 7 Marsi festohet në të gjitha shkollet e vendit me aktivitete të shumta në shenjë falënderimi për mësuesit për punën që kryejnë në edukimin e brezit të ri.

Një simbol i kësaj dite janë kryesisht edhe lulet që u dhurojmë mësueve tanë