Aktualitet

8000 studentë firmosin për t'u rikthyer në Universitet për seminaret: Presim vendim nga Komiteti ose protestë

8000 studentë firmosin për t'u rikthyer në Universitet

Komiteti Teknik i Ekspertëve në takimin e djeshëm njoftoi se vendimi për Universitetet nuk do të ndryshojë deri në një njoftim të dytë dhe se mësimi do të vijojë vetëm Online. Por studentët kanë firmosur një peticion me 8 mijë firma të cilët kërkojnë të rikthehen në auditore, për për seminaret dhe praktikat në laboratore, duke thënë se është e pamundur të zhvillohen provimet online.

Mësohet se dy prej studentëve përfaqësues janë takuar sot me kryetaren e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe zv.ministren e Shëndetësisë Mir Rakacollin ku kanë folur për çështjen e rikthimit në auditorë. Sipas dy përfaqësuesve, Komiteti ende nuk ka marrë vendim si do të vijohet dhe për këtë arsye presin një përgjigje brenda javës tjetër.

‘I thamë që kërkojmë mësimin nëpër auditore, për seminare për praktika dhe laboratore. Kërkesat janë dorëzuar që ditën e hënë, dhe siç na është thënë dhe që në fillim brenda 10 ditësh presim një përgjigje. Sot është dita e katërt, kështu që brenda javës tjetër do të kemi një përgjigje zyrtare. Profesoreshë Mira Rakacolli tiu drejtohet studentëve që nëse auditoret do të rihapen, duhet të kemi një bashkëpunim që studentët të mos jenë burim infeksioni’.

Duke nisur nga vendimi i një dite më parë për të vijuar me mësimin vetëm online, studentët thanë se nëse auditorët nuk do të hapen, do të protestojnë. Protestat dhe grumbullimet janë të ndaluar me vendim të Komitetit të Ekspertëve. 

*Tiranapost.al.