Aktualitet

A kemi mungesë të kapaciteteve spitalore? Rakacolli: Asnjë frikë, ja skenari

A kemi mungesë të kapaciteteve spitalore? Rakacolli: Asnjë

Nga mbledhja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, zv-ministrja Mira Rakacolli u pyet për akuzat e PD-së se nuk ka kapacitete spitalore për të trajtuar pacientët me Covid. Por Rakacolli iu drejtua qytetarëve duke thënë se nuk duhet të ketë frikë dhe se nuk ka asnjë arsye që qytetarët të shqetësohen për këtë.

Ajo tha se janë të kalkuluara të gjitha, dhe se për çdo skenar do të shfrytëzohen në maksimum burimet njerëzore dhe spitalore.

Pjesë nga deklarata e Rakacollit:

‘Nuk duhet të kemi asnjë shqetësim për pakësim të kapaciteteve spitalore, janë të gjitha të kalkuluara me aq sa mund të kalkulohet. Jemi të kalkuluar që të shfrytëzojmë në maksimum burimet njerëzore dhe spitalore, nuk duhet të kemi frikë që kapacitete spitalore nuk do të mjaftojnë për të gjithë ata që kanë nevojë për t'u trajtuar me COVID. Asnjë frikë për mungesë të kapaciteteve spitalore'.

Në mbledhjen e Komitetit të Ekspertëve sot u mor vendimi që mësimi Online në Universitete të vijojë edhe pas dy dhjetorit, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve. Ndërsa nuk u njoftuan masa të reja kufizimi.

Aktualisht Shqipëria ka tre spitale Covid, ndërsa Covid-4 ende nuk është hapur. Ekspertët kanë thënë se nëse situata do vijojë me rritje të rasteve, do të vihen në dispozicion edhe spitalet rajonale me pavijone të përshtatura për të trajtuar pacientët me Covid.