A pritet një skenar negativ? Manastirliu: Do kemi raste në rritje me të infektuar, për të rinjtë kam një apel
Kreu i Urgjencës Skendër Brataj tha se korriku do të ketë raste në rritje me të infektuar, dhe këtë skenar të tij e konfirmon sot edhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Në Real Story ajo tha se ekspertët e epidemiologjisë në vend kanë bërë një projeksion ku sipas pritshmërive do ketë raste në rritje me të infektuar. Megjithatë, ministrja tha se nuk pritet rritje eksponenciale dhe se sistemet shëndetësore në vend janë të përgatitura për këtë skenar.
Ogerta Manastirliu:
Ka një projeksion nga ekspertët e epidemiologjisë, sipas pritshmërive do kemi raste në rritje, pasi duke vlerësuar të gjithë rastet e konfirmuara dhe fillimin e shenjave të sëmundjes në diagramën e infektimeve, pritet reflektim më pas i të infektuarve me tej. Presim një rritje që do jetë e qëndrueshme jo eksponenciale duke shpresuar që të mos jetë eksponenciale dhe duke vlerësuar masksimalisht efektet deri tani me hapjen e spitaleve, Po përgatitemi për rritjen e numrit të rasteve dhe të të shtruarve. Vendimi që kemi marrë është të kalojmë në rihapjen e spitalit Shefqet Ndroqi që ka kapacitetet dhe personelin e duhur.
Më herët ministrja u bëri një apel të rinjve përmes një statusi në Facebook:
E mirëkuptoj shkujdesjen e moshës, zellin për të relativizuar çdo gjë, madje edhe një sëmundje si kjo që shkakton koronavirusi.
E mirëkuptoj edhe prirjen tuaj për të mos besuar ekzistencën e diçkaje që nuk shihet me sy.
Ka shumë gjëra që nuk i shohim, por kjo nuk do të thotë që nuk ekzistojnë. Dhe një prej tyre është COVID19, që ka vënë në vështirësi Botën mbarë.
??Ju lutem, ndaluni një sekondë dhe shihni këtë moment në terapinë intensive në spitalin infektiv pak minuta më parë dhe mendoni pak për prindërit dhe të afërmit tuaj!
A do të donit vërtet të bëheshit bartës të një virusi, dhe shkaktarë të një sëmundjeje, që për ta mund të rezultojë fatale?
Dhe në fund, mendoni pak për të nesërmen.
Mendoni për një kohë kur do të mbërrini në moshën e prindërve tuaj dhe do t’u mësoni fëmijëve tuaj përgjegjshmërinë dhe kujdesin ndaj të afërmit. A do ua ilustronit me shembullin që vetë po jepni sot?
Sigurisht, koronavirusi do të vihet përfund, siç ka ndodhur me shumë pandemi që ka parë Bota.
Por të gjithë bashkë, me përgjegjshmëri qytetare, dhembshuri njerëzore, duke zbatuar rregullat bazë të mbajtjes së maskës, distancimit social dhe higjenës vetjake, ne mund ta fitojmë këtë luftë me sa më pak jetë të humbura.
Dhe kjo varet nga sjellja e gjithësecilit prej nesh!