Aktualitet

A rrezikojmë 500 të infektuar në ditë? Nëndrejtori i ISHP: Maska minimumi i domosdoshëm

A rrezikojmë 500 të infektuar në ditë? Nëndrejtori i

Vendosjen e maskës në çdo ambient, të hapur e të mbyllur, nëndrejtori i ISHP-së e quan një domosdoshmëri. Në një intervistë mbrëmë ai thotë se ka skenarë që mund të sjellin sërish mbylljen e aktiviteteve si restorantet e lokalet brenda apo kinematë. Ai thotë se kjo mund të ndodhë nëse do të ketë 500 raste në ditë me të infektuar. Aktualisht në Shqipëri numri më i lartë i të infektuarve u regjistruar ditën e djeshme, me mbi 200 raste.

Dritan Ulqinaku:

"U hapën restorantet, nesër mund të mbyllen prapë, u hapen kinematë, nesër mund të mbyllen prapë, gjithmonë është në varësi të situatës nëpër spitale. Nëse nesër do të kemi 500 raste në ditë, do të kemi masa të tjera. Ne themi o njerëz të mirë e të shëndetshëm thirrini mendjes dhe ruani veten dhe familjarët, pasi mund të përjetojnë një traumë mendore. Sot për sot me këto shifra morën masën për maskën që për mua është minimumi i domosdoshme dhe nuk ja vlen ta diskutojmë ta mbajmë apo jo".

Shqetësimi është më i madh për shkak të sezonit të gripit. Ulqinaku tha se situata paraqitet serioze, pasi me grip sëmuren rreth 40 mijë vetë në javë në vendin tonë, të cilët i raportojnë mjekët e familjes dhe një pjesë e mirë e tyre nuk deklarohen pasi mjekohen në shtëpi.

*Intervista e nëndrejtorit të ISHP në Report TV.