Sulmi ndaj Top Channel/A tha Kryeministri një fjali që të çon në pistën e hetimit?
Kryeministri Edi Rama në intervistën e tij mbrëmjen e sotme për Top Story duket se iu afrua motiveve të ngjarjes së rëndë që goditi këtë televizion. I pyetur me insistim nga Grida Duma në lidhje me informacionet që ai kishte mbi hetimet e deritanishme mbi aktin kriminal të mbrëmjes së kaluar, Rama tha se motivet gjenden pikërisht në aktet kurajoze të Top Channel.
“Top Channel, - tha Rama, - është treguar jashtëzakonisht i vetëpërmbajtur për të drejtuar gishtin, sidomos për shkak të një sërë aktesh shumë kurajoze, por dhe të dokumentuara të kohëve të fundit dhe të thonte e kemi për këtë arsye”.
“Kjo, - shtoi Rama, - është diçka që lidhet drejtëpërdrejt me Top Channel”.
“Ju siguroj që unë e kuptoj shumë mirë këtë goditje, e ndjej shumë thellë dhe do bëjmë çmos të gjejmë cilët janë autorët dhe cilat janë motivet e tyre,” theksoi Kryeministri.
Duma insistoi në pyetjen se për cilat fakte bëhej fjalë dhe Rama u përgjigj: “Top Channel ka bërë shumë në këtë drejtim kohët e fundit dhe fare mirë mund të thonte që 'ky është pushteti arrogant dhe vrastar, këta janë politikanët që të vrasin pasi ti i kritikon dhe i denoncon, apo dhe i akuzon për aferat e tyre etj'., por nuk e ka thënë këtë gjë, sepse nuk dihen motivet e kësaj gjëje”.