Aktualitet

Agjencia Europiane do vlerësojë vaksinën ruse të Covid, si do veprojë Shqipëria nëse vendoset për shpërndarje në BE?

Agjencia Europiane do vlerësojë vaksinën ruse të Covid, si

Shqipëria është e orientuar në sigurimin e vaksinave perëndimore dhe sipas qasjeve të BE, ka deklaruar kryeministri Rama më herët, kur është pyetur nëse do të merret në konsideratë vaksina ruse.

Me datë 1 shkurt, ai tha:

‘Sa u përket vaksinave në anën lindore, ruse dhe kineze, asnjë paragjykim të natyrës shkencore, respekt për shkencëtarët që i kanë dhënë jetë këtyre dy vaksinave, por zgjidhja jonë është se do kërkojmë vaksina në krahun perëndimor të Shqipërisë, është nëj zgjedhje e bërë prej nesh sepse këtu janë shumë komponentë bashkë, nëse BE do hapet ndaj vaksinave kineze dhe ndaj vaksinave ruse, ne menjëherë do të rishikojmë këtë qasje. Sa kohë BE është e mbyllur me këto opsione ne jemi të njëtin pozicion me BE, asnjë paragjykim të natyrës shkencore apo të ndonjë natyre tjetër’.

Sot Agjencia Europiane e Barnave ka deklaruar se do të fillojë vlerësimin e vaksinës ruse Sputnik V, në një kohë kur vendet e BE po kërkojnë që të shpejtohet programi i vaksinimit, për tu mbrojtur nga një valë e tretë e mundshme të koronavirusit.

Agjencia EMA publikoi sot një deklaratë ku thuhet:

"EMA do të vlerësojë vaksinën Sputnik V me standardet e zakonshme të BE-së për efektivitetin, sigurinë dhe cilësinë. Ndërsa EMA nuk mund të parashikojë afatet e përgjithshme kohore, mund të duhet më pak kohë sesa normalja për të vlerësuar një aplikim eventual".

EMA po përdor një procedurë për të studiuar të dhënat për vaksinën e zhvilluar në Rusi. Kjo i lejon autoritetit mjekësor evropian të vlerësojë efikasitetinpasi merr informacionin e nevojshëm, përpara se prodhuesi i vaksinave të mund të aplikojë për autorizim zyrtar. Duke analizuar studimet përpara aplikimit, miratimi i mundshëm i EMA mund të vijë më shpejt se zakonisht.

Lajmi vjen pasi një numër vendesh evropiane treguan se ata mund të fillonin administrimin e vaksinës Sputnik V, duke anashkaluar EMA-n. Sllovakia dhe Hungaria tashmë kanë porositur doza të vaksinës ruse ndërsa Republika Çeke dhe Austria po e marrin në konsideratë.

Në muajin janar, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ishte e hapur ndaj idesë së prodhimit të vaksinës koronavirus të Rusisë në Bashkimin Evropian.

Ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në shkurt pyeti pse Rusia po ofronte kaq shumë vaksina për BE kur popullata e saj ende nuk është vaksinuar plotësisht? Dhe për këtë kërkoi përgjigje!

Javë më parë, ambasada ruse reagoi pas një postimi nga drejtori i komunikimit në kryeministri, Endri Fuga i cili bëri një koment jo pa shpoti për BE-në dhe presidenten Von der Leyen, se edhe një herë Ballkani duket se është lënë i fundit.

Ambasada e Rusisë në Tiranë, iu drejtua këshilltarit të kreut te qeverisë ndërsa shkruante se Fondi Rus i Investimeve Direkte është autoruzuar të zhvillojë negociata me vendet, të cilat janë të interesuara për të blerë vaksinat kundër COVID-19.

‘Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj "Sputnik-V" edhe në Shqipëri’.

Deri më tani Shqipëria ka qasje vetëm tek vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca, ndërsa pritet një marrëveshje edhe me vaksinën Moderna.

*Tiranapost.al E.B