Aktualitet

Akuzat e Bashës se po fshihet numri real i viktimave nga Covid, reagojnë mjekët: Tronditëse, nëse përsëritet thërrasim prokurorinë

Akuzat e Bashës se po fshihet numri real i viktimave nga Covid,

Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi mbrëmë në emision se numri i viktimave nga Covid po mbahet i fshehtë dhe se nga shpërthimi i pandemisë deri më tani kanë ndërruar jetë më shumë se 1000 qytetarë. basha tha gjithashtu se po ndryshohet shkaku i vdekjes së viktimës i cili dërgohet në morg me dokumentin përkatë. Denoncimi i tij ngjalli edhe reagime ku gazetarët thanë se kjo është një akuzë e rëndë dhe se prokuroria duhet të fillojë hetimet.

Një reagim vjen edhe nga drejtoresha e Spitalit Infektiv, Najada Çomo dhe nga mjekët e tjerë të cilët trajtojnë pacientët me koronavirus. Në një deklaratë doktoresha thotë se nëse një akuzë e tillë përsëritet, do të ftohet prokuroria të bëjë verifikimet: ‘Shkaku i largimit nga jeta të një pacienti në spital nuk mund të përcaktohet as nga politikanët as nga kushdo qoftë përveç mjekut përkatës’.

Deklarata:

Shprehim publikisht habinë tonë për akuzat e bëra dje nga kreu i PD-së Lulzim Basha në një emision televiziv. Janë akuza tronditëse që vendosin në goditje profesionalizmin tonë si mjek por janë dhe goditje të befasishme të përpjekjeve tona më shumë se 9 mujore me COVID-19. Nuk duhej kurrësesi të arrihej deri këtu dhe nuk është aspak dëshira jonë që të merremi me deklarata publike, por përballë akuzash të tilla e kemi të domosdoshme të informojmë opinionin publik si vijon. Nuk është kurrësesi e vërtetë që janë fshehur vdekjet nga COVID-19 dhe themi me përgjegjësi të plotë që kjo jo vetëm është praktikisht dhe teorikisht e pamundur. Çdo pacient që ndërron jetë, përcillet për në morg së bashku me kartelën shoqëruese. Kartela bashkëshoqëruese përmban dhe arsyen e vdekjes së qytetarit, e cila është e firmosur dhe e vulosur me përgjegjësi profesionale e ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit nga mjeku pikërisht që ka konstatuar vdekjen e personit. Shkaku i largimit nga jeta të një pacienti në spital nuk mund të përcaktohet as nga politikanët as nga kushdo qoftë përveç mjekut përkatës.

Kartelën bashkëshoqëruese të të ndjerit nuk e zëvendësojnë dhe as nuk e ndryshojnë dot deklaratat bombastike që vënë në pikëpyetje vetë humanizmin e autorëve të tyre në një kohë kaq të vështirë për njerëzit. Askush nuk mund ta ndryshojë dot shkakun e vdekjes dhe jo më pastaj një ekip i tërë mjekësh të parafytyrohej dhe akuzohet si i përfshirë në një monstruozitet me përmasat e deklaruara.

Nëse kjo akuzë përsëritet do ftojmë organet që të bëjnë verifikimin e çdo kartele mjekësore. Ne nuk do lejojmë pa adresuar me ballafaqim miqësor apo ligjor këtë cënim që na bëhet në dinjitetin tonë njerëzor dhe profesional. Duhet ti jepet njëherë e mirës fund të praktikës politike dhe mediatike të lojës me vdekjes që ka sjellë jo pak telashë në 30 vjet në jetënn ebluzave të bardha. Kjo dalje jashtë shinave në të së vërtetës në kohë si kjo janë tejet të rrezikshme, në këtë kohë të vështirë kjo është gjëja efundit që do të na kishte shkuar ndërmend, ndërkohë që krejt të kundërta dueht të jenë mesazhet e figurave publike.