Aktualitet

Akuzat ndaj PS për përdorimin e të dhënave nga e-albania/ SPAK shkon në zyrat e medias online për të marrë serverin

Akuzat ndaj PS për përdorimin e të dhënave nga e-albania/

Prokuroria e Posaçme ka nisur të mbledhë prova pas kallëzimit të PD-së ndaj PS, se po përdor të dhënat e mijëra qytetarëve përmes e-albania për qëllime të fushatës zgjedhore. Mësohet se Prokuroria e Posaçme ka shkuar në zyrat e portalit/ medias online Lapsi.al për të sekuestruar serverin, nga ku ndodhet database me të dhënat e qytetarëve. Përmes këtyre database të siguruara, portali publikoi emra personash edhe të famshëm të cilëve iu zbulohen shumë të dhëna private, duke përfshirë edhe bindjet partiake.

Kreu i SPAK Arben Kraja ka deklaruar sot se kanë filluar verifikimet dhe do të ketë një pergjigje lidhur me akuzat e ngritura.

Për çështjen ka reaguar sot zëdhënësi i mbrojtjes së të dhënave personale Redi Skënderi i cili tha se po bëhen të gjitha vlerësimet ligjore, Ai theksoi se nga janari 2021 deri më tani ka pasur vetëm dy ankesa nga qytetarë për telefonata në kuadër të fushatës zgjedhore: Për të dyja rastet po kryhen hetime.

E-Albania reagoi që ditën e denoncimit nga PD, të dielën, duke thënë se përdorimi i të dhënave përmes e-Albania është i pamundur.

“Suksesi i e-albania me digjitalizimin e shërbimeve publike njihet dhe vlerësohet nga e gjithë bota përmes institucioneve ndërkombëtare si OKB, OECD, BE dhe DASH.

Sulmet e Partisë Demokratike ndaj platformës e-Albania, e cila siguron shërbimet publike online për qytetarët janë të pabaza. Ne e kuptojmë se PD është në fushatë por kjo nuk justifikon sulmin politik ndaj një institucioni që është kryekëput në shërbim të qytetarëve.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit garanton qytetarët shqiptarë se në asnjë rrethanë të dhënat e disponuara nga AKSH-i as nuk janë përdorur, po as nuk mund të përdoren teknikisht nga partitë politike ose vetë qeveria për qëllime politike apo elektorale.

E-albania në asnjë moment nuk ruan, administron apo përpunon të dhënat e qytetareve. Kjo është e treguar qartë edhe në ndërfaqen e portalit. Të dhënat mbahen dhe administrohen nga bazat e të dhenave respektive në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore të institucioneve administruese të tyre sipas aktit të krijimit.

E-albania është një urë e qendërzuar komunikimi mes shtetit dhe qytetarit e biznesit.

E-albania shmang ngritjen paralele të faqeve të çdo institucioni me qëllim ofrimin e shpërndarë të shërbimeve elektronike duke e bërë më të thjeshtë për qytetarin dhe biznesin duke lehtësuar kërkesën per shërbim dhe marrjen e shërbimit.

AKSHI mirëpret në cdo kohë qoftë përfaqësues të partisë që sulmon pa asnjë bazë institucionin dhe qoftë përfaqësues të portaleve që e mbështesin këtë sulm, për të ballafaquar pretendimet e tyre.”

Nga PS ka reaguar Taulant Balla:

O shpifësa të dëshpëruar! Partia Socialiste ka databazën e saj të të dhënave të krijuar me vite të tëra organizimi dhe komunikimi derë më derë me njerëzit. Quhet punë në terren kjo dhe bëhet me kontakte direkte jo me makina e me flamunj, prandaj prisni me qetësi 25 prillin dhe mos kujtoni se sa më shumë makina e zhurmë rrugëve aq më shumë vota në kutinë ku vendoset e ardhmja.

*Tiranapost.al.