Aktualitet

Në gjyq për 6000 euro ryshfet/ Rebelohet gjyqtarja Margjeka: Është përrallë, e përgatitur se i dola përballë shtetit

Në gjyq për 6000 euro ryshfet/ Rebelohet gjyqtarja Margjeka:

Gjykata Speciale la sot në fuqi vendimin për gjyqtaren Mimoza Margjeka për arrest shtëpie, ndërsa akuzohet për se ka marrë ryshfet 6000 euro për të liruar nga qelia një të dënuar. Para dhe pas seancës, Margjeka foli e irrituar për mediat duke e cilësuar si thashetheme dhe një përrallë të gjithë historinë, e cila sipas saj është sajuar për t’i prishur imazhin.

Sipas saj kjo ka ndodhur për zgjedhjet e 30 qershorit, pasi i refuzoi mandatin Valbona Sakos, ish-kryebashkiakes së Durrësit.

Margjeka para seancës tha:

"E gjitha është një përrallë, thashethem. Salla është shumë e madhe. Le të futen gazetarët kjo çështje është sensitive. Do kërkoj shfuqizim sepse është absurditet. Mori 6000 euro dhe liroi e trafikoi trafikantin, këto janë fjalë propagandistike të përgatitura me qëllim. Kanë goditur reputacionin tim, kam punuar për këtë punë, kam 4 diploma. Jam i vetmi gjyqtar që s'i kam dhënë mandatin një bashkie, është nul janë zgjedhje që nuk ishin zgjedhje. Unë do kërkoj që seanca të jetë publike. Nxirrni altorpalantet si në kohën e Enverit".

Pas seancës gjyqtarja pati një përplasje me policët, të cilët nuk po e lejonin që të jepte një prononcim për gazetarët.

"Është gjithçka e përgatitur. Ky shtet nuk bëhet më. Guxoni t'i dilni përballë shtetit, harroje se guxon kush. Kush është fut në burg vetëm ata që i kanë dalë në ballë shtetit. S’ka asnjë provë kërkova median në proces nuk u lejuan. Gjyqtarët janë të frikësuar kanë hall vettingun. Mos  më prek moj më lër të flas (përplaset me policët). Merreni dosjen dhe shikoje nuk ka asnjë provë e kanë bërë gjyqin të fshehtë dhe me frikë sepse dola përballë me një vendim të drejtë. Le të shfaroset familja ime le të shkatërrohet nuk e kam dhënë mandatin sepse nuk e meritonin", u shpreh ajo.

Pas seancës për mediat foli edhe avokati i saj, Genc Gjokutaj, i cili e quan vendimin absurd, ndërsa i bën thirrje politikës shqiptare që të vendosë në funksion menjëherë Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.

Në gjyq për 6000 euro ryshfet/ Rebelohet gjyqtarja Margjeka:

"Nuk është rebelim. Gjendja e gjyqtares Margjeka është rrjedhojë logjike e një absurdi që ndodhi ditën e sotme në Gjykatën e Apelit e cila la në fuqi vendimin e shkallës së parë. Unë i bëj thirrje politikës të instituojë menjëherë gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese sipas ligjit që njerëzit të kërkojnë dhe të marrin drejtësinë e mohuar. Ky është një rast i paprecedent kur një gjyqtar burgoset familjarisht pa çerek prove. Dhe rekursi që ne do të bëjmë në Gjykatë të Lartë, ne si avokatë nuk dimë të themi se në çfarë afatesh do të gjykohet”, tha Gjokutaj.

Kujtojmë se pjesë e kësaj skeme korruptive ishte edhe bashkëshorti i gjyqtares, Arben Cara, i cili është lënë në “arrest me burg”, avokati Skënder Demiraj, i cili është nën masën e sigurisë “arrest në shtëpie” dhe  Nejton Bali e Klaudjo Zhilla të cilët po ashtu janë nën masën e sigurisë “arrest me burg”.