Aktualitet

Alarmi për pako të dyshimtë zbulon atentatin ndaj zyrtares së shëndetit publik në Shkodër

Alarmi për pako të dyshimtë zbulon atentatin ndaj zyrtares

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Shkodër, ku në automjetin e drejtoreshës së Drejtorisë Rajonale të Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor Suida Kuka është vendosur një sasi tritoli.

Fatmirësisht ngjarja ka kaluar pa pasoja, pasi shpërthimi u krye me telekomandim nga forcat xheniere, pas një sinjalizimi për një pako brenda të cilës mund të kishte lëndë plasëse.

“Rreth orës 16:00, jemi njoftuar se në lagjen Vojo Kushi” Shkodër, në anë të rrugës, është konstatuar një pako, brenda së cilës nuk dihet ende se çfarë materiali/esh ka. Shërbimet e Policisë kanë vendosur perimetrin e sigurisë në vendngjarje dhe po verifikojnë rastin. Janë njoftuar forcat xheniere për të kryer veprimet e mëtejshme,” - njoftoi më herët policia.

Policia dyshon se sasia e tritolit u vendos nga një person me motor dhe kanë qenë kamerat e sigurisë ato të cilat kanë filmuar momentin e vendosjes së lëndës plasëse.

“Në vijim të informacionit paraprak për një pako të dyshimtë që u konstatua në lagjen “Vojo Kushi”, Shkodër, në afërsi të një mjeti “Range Rover”, në pronësi të shtetases S. K., banuese në fshatin Demiraj, Malësi e Madhe, me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetit Publik Shkodër, ju informojmë se: Në vendin ku u konstatua pakoja e mbyllur erdhi njësia antieksploziv e RENEA-s, e cila bëri shpërthim të kontrolluar të pakos, brenda së cilës rezultoi se kishte lëndë eksplozive. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit,” deklaroi në një njoftim të dytë Policia e Shkodrës.

Alarmi për pako të dyshimtë zbulon atentatin ndaj zyrtares

Suida Kuka drejtoresha e Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër të cilës iu vu eksplozivi kishte pak muaj në këtë detyrë.