Aktualitet

Alo, Edi jam! AKEP sqaron pse u lejua mesazhi zanor i kryeministrit në fillim të pandemisë

Alo, Edi jam! AKEP sqaron pse u lejua mesazhi zanor i kryeministrit në

Në ditët e para të pandemisë në Shqipëri, përveç rrjeteve sociale, kryeministri Rama nisi t’i sensibilizonte qytetarët përmes një mesazhi zanor, që niste në momentin që dikush donte të bënte një telefonatë.

I pyetur për këtë gjest gjatë raportimit vjetor në Kuvend, kreu i AKEP, Tomi Frashëri, sqaroi pse lejoi mesazhin zanor sensibilizues me zërin e kryeministrit.

“Ishin ditët e para u kërkua nga qeveria një bashkëpunim me të gjithë institucionet që të kujdeseshin për gjendjen. Në mungesë koordinimi, kryeministri propozoi që ta bënte vetë mesazhin e tij vokal. Ky ishte për sensibilizim dhe vetë kryeministri me miratimin e operatorëve kërkoi që të ishte e kufizuar në kohë, vetëm për fundjavën. Kështu u gjet zgjidhja”, tha Frashëri.

Ai arsyetoi se në asnjë vend nuk ka rregullime ligjore që të përcaktojnë autoritetet për të çuar mesazhe zanor, ndërsa për çështjen e kontekstit u shpreh se nuk mban përgjegjësi AKEP

“Për çështjen e kontentit, secili ka mendime personale. AKEP nuk e kontrollon kontekstin. Mënyra si proceduam është kjo që shpjegova, ishte urgjente dhe emergjente. Në asnjë vend nuk ka rregullime ligjore që të përcaktojnë autoritetet për të çuar mesazhe zanore”, tha ai.