Aktualitet

Ambasadorja amerikane Yuri Kim sulmon Lapsi.al: Ky artikull keqinterpreton situatën

Ambasadorja amerikane Yuri Kim sulmon Lapsi.al: Ky artikull keqinterpreton

Një artikull i Lapsi.al ku trajton përplasjet SHBA dhe BE si shkaktare për refuzimin e negociatave ka sjellë reagimin e ambasadores së SHBA, Yuri Kim.

Ambasadorja ka shpërndarë në Twitter artikullin në të cilin akuzohet se nuk i ka konsideruar ndryshimet Kushtetuese dhe ato të Kodit Zgjedhor si shkelje të marrëveshjes së 5 Qershorit dhe se i kërkojnë Brukselit të "mbyllë njërin sy" për çeljen e negociatave. Ndërkohë që sipas po të njëjtit artikull zyrtarë të Bashkimit Europian reaguan ashpër dhe paralajmëruan pasojat në procesin e integrimit.

“Ambasada amerikane nuk e konsideroi ndryshimin e mëtejshëm të Kodit Zgjedhor si shkelje të marrëveshjes së 5 Qershorit.

Në prag të refuzimit të radhës për negociatat, diplomatët amerikanë po i kërkojnë Brukselit të mbyllë një sy. Mbetet për t’u parë, si do të reflektohet thirrja e Zëvëndësndihmës Sekretarit të Shtetit Metju Palmer në vendimmarrjen e BE”, thuhet në artikullin e Lapsi.al.

Ndërkohë në reagimin e saj Yuri Kim shprehet se artikulli keqinterpreton situatën dhe se në asnjë moment, SHBA nuk ka bërë thirrje për të "mbyllur njërin sy" ndaj mangësive, por i ka theksuar ato dhe ka ofruar mbështetje për përparim. Yuri Kim thekson se SHBA dhe BE janë të bashkuara në mbështetjen e Shqipërisë në BE.

“Ky artikull keqinterpreton situatën. SHBA dhe BE janë të bashkuara në mbështetjen tonë për Shqipërinë në BE. Në asnjë moment, SHBA nuk ka bërë thirrje për të "mbyllur njërin sy" ndaj mangësive, përkundrazi, ne i kemi theksuar ata dhe kemi ofruar mbështetjen tonë për përparim.

Kjo është arsyeja pse Flamuri i Shteteve të Bashkuara së bashku me BE përqendrohet aq shumë në Reformën në Drejtësi, duke përfshirë nevojën që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale deri më 31 dhjetor. Shikoni faktet", shkruan Yuri Kim.