Arbi Mazniku flet për Syri Tv: As menunë nuk e pamë. Kompania private i pagoi të gjitha

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku ka folur për foton e shumë-komentuar në rrjet dhe të përdorur këto ditë nga opozita me një lumë akuzash për shpenzime të parave të taksapaguesve shqiptarë me darka në Dubai.
Arbjan Mazniku ka qenë pjesë e darkës në Dubai dhe për Syri Tv, ai tha se në atë restorant ishin të ftuar nga një kompani private dhe se kanë qenë ata që i kanë paguar të gjitha:
‘Edhe unë nëse do kisha parë lajmet nga mënyra se si dukej dhe si është portretizuar darka në mënyrë të padrejtë, do isha revoltuar. E mirëkuptoj mërzinë dhe inatin që kanë kur informacioni del jashtë kontekstit. Ne shkuam si pjesë e një tentative të qeverisë për të sjellë në Shqipëri një investitor, të quajtur EMAAR Group. Ajo është një palë e interesuar për rivitalizimin e portit të Durrësit.
Po flasim për një investim që i kalon 2 miliardë euro. Kompania ka interes të afrohet edhe në qytetin e Tiranës dhe po shqyrton disa mundësi investimi. Unë isha aty për të prezantuar disa projekte të mundshme në Tiranë.
Zoti Mohamed Alabbar ka shpenzuar një ditë e gjysmë të tërë me ne. Ai nuk ishte në darkën e famshme sepse iu desh të lëvizte. Ishin të gjitha të ofruara nga kompania. Nusretin e takuam. Menynë nuk e pamë dhe as e porositëm sepse ishte porosi e kompanisë’.
*Tiranapost.al.