Aktualitet

Ardian Dvorani flet për herë të parë pas vlerësimit nga DASH: Reforma në Drejtësi po jep frytet e saj!

Ardian Dvorani flet për herë të parë pas vlerësimit nga

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit, njëherësh ish-kreu i KED Ardian Dvorani, tha se këtë vlerësim e ndan me shumë kolegë të tjerë, të cilët kanë bërë përpjekje ndër vite që në Shqipëri për të bërë drejtësi në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Zoti Dvorani! Si e pritët këtë çmim? Cili është mendimi i parë, reagimi juaj i parë për këtë çmim të Departamentit të Shtetit?

Reagimi im i parë… Në fakt isha në sallën e gjyqit kur bashkëpunëtorë, kolegë edhe miq më njoftonin për këtë çmim. Sigurisht që kisha një dijeni paraprake se diçka po ndodhte, për një nominim. Sinqerisht ndjehem shumë i vlerësuar dhe jashtëzakonisht krenar që çmim i tillë, me këtë dedikim dhe me këtë përmbajtje më jepet mua nga Departamenti i Shtetit, nga Sekretari i Departamentit të Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjëja e dytë që më vjen në mendje është që këtë vlerësim të jashtëzakonshëm nuk dua ta mbaj vetëm për vete, por e quaj si një vlerësim dhe dua ta ndaj edhe me shumë kolegë të tjerë, gjyqtarë, prokurorë, magjistratë, të cilët në vite kanë bërë përpjekje dhe vazhdojnë të bëjnë përpjekje, që në Shqipëri të krijohet mundësia për të dhënë drejtësi, në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale.

A mund të jepni edhe një koment për ecurinë e deritanishme të Reformës në Drejtësi. Kanë kaluar disa vite, ka shumë kritika për vonesa, si në konstituimin e institucioneve, ashtu edhe sa i takon pritshmërisë së lartë për frytet e para të këtyre institucioneve të reja. Si ka ecur deri tani, sipas jush, Reforma në Drejtësi?

Vlerësimi im është pozitiv, në radhë të parë. Për sa i përket kohës, kjo ka qenë një reformë e gjithanshme, shumë e thellë, e cila vinte pas gati 25 viteve nga përmbysja e regjimit komunist në sistemin demokratik, që jetojmë. Një reformë e tillë kaq e thellë dhe e gjithanshme, si kudo për reforma të kësaj natyre, do të ketë edhe problematikat e veta pashmangshmërisht. Por, unë shikoj atë që është trendi, tendenca dhe ecuria. Në tërësinë e vet, reforma është duke ecur hap pas hapi. Madje, kur te ne bëhen ligje të mira, por nuk zbatohen, isha më pak optimist. Por tani shoh se reforma po jep frytet e saj. Unë them që reforma do të marrë akoma kohë, dhe kërkohet akoma më shumë kohë, sepse nuk është një çështje e thjeshtë, nuk është se ndryshohen një apo dy gjyqtarë, apo disa prokurorë. Kemi institucione të reja, kemi mekanizma të reja kushtetues, të cilat duhet të garantojnë paanësinë, pavarësinë e sistemit gjyqësor, profesionalizmin në dhënien e drejtësisë. Të gjithë këto mekanizma kanë nevojë edhe për kohën e tyre që të ambientohen, të familjarizohen me gjithë kuadrin e ri kushtetues dhe ligjor. Nëse ka vend për mangësi që mund të jenë konstatuar në ligjet e reformës, ato mund të përmirësohen rrugës, por kjo nuk do të thotë asgjë. Ky është një rrugëtim krejt normal.

*Marrë nga VOA