Aktualitet

Arma me të cilën u vetëvra biznesmeni në 'Rolling Hills' mund të jetë përdorur edhe për vrasjen në ish-Bllok

Arma me të cilën u vetëvra biznesmeni në 'Rolling

Pas dy vitesh hetime për vrasjen e ndodhur me 4 tetor 2018 në zonën e ish Bllokut, policia mund të ketë gjetur armën e krimit që është përdorur. Mësohet se pikërisht me këtë armë të tipit ‘Glock’ është vetëvrarë dhe biznesmeni i kompleksit Adorions Palace, Eugert Lazaj, ku arma u gjet pranë trupit të tij. 

Burime nga policia kanë treguar për Report Tv se

 “…arma që është gjetur në banesën e tij luksoze në Farkë, është një pistoletë tip “Glock…”.

Mësohet se prej dy vitesh policia po e kërkonte armën e vrasjes së Fabjol Gaxhajt.

Sipas burimeve, arma që Marviol Bilo ka përdorur për vrasjen, i përket Redi Popeskut, të cilën ai e dispononte pa leje, por pas ngjarjes ai e deklaroi të humbur.

Eugert Lazaj, u gjend i pajetë në një nga dhomat e vilës së tij në Farkë, pranë tij policia gjeti pistoletën. Nga ekspertiza mjeko-ligjore thuhet se ai ka kryer vetëvrasje.

Nuk dihet se në çfarë rrethanash dhe si kjo armë ka përfunduar në dorë të biznesmenit Lazaj. AMister mbetet dhe vetëvrasja e tij brenda në vilën në Rolling Hills në Farkë.

Ndërkaq, policia ka kërkuar një ekspertim të dytë për gëzhojat e gjetura brenda ambjenteve të lokalit në ish Bllok me gëzhojën e gjetur në shtëpinë e biznesmenit Eugert Lazaj, për të faktuar nëse është e njëjta.

Për vrasjen në ish-bllok prokuroria ka mbyllur hetimet, ku të pandehur janë Ervis Martinaj dhe mik i tij, Elion Hato.

Ata akuzohen për “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve për vrasje”, “Fshehje të ardhurash”, “Falsifikimit të pasaportave dhe kartave të identitetit” dhe “Organizim ose ushtrim i veprimtarisë së lojërave të fatit”.

Ndërsa për të tjerë të përfshirë në ngjarje, ish komandoja Marviol Billo, Ervin Mata dhe tre të tjerë, hetimet vazhdojnë.