Aktualitet

Arrestohet një 19-vjeçar në Vlorë. Akuzohet se i vuri 4 herë zjarrin Selenicës

Arrestohet një 19-vjeçar në Vlorë. Akuzohet se i vuri 4

Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 19-vjeçar, i dyshuar si autori i katër rasteve të zjarrvënies së qëllimshme, në zonën e Selenicës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë arrestuan në flagrancë shtetasin I. M., 19 vjeç, banues në fshatin Kocul, Selenicë. Arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se mbrëmjen e djeshme, pranë rrugës Peshkëpi-Drashovicë, ka djegur një sipërfaqe pyjore me shkurre, si dhe një sipërfaqe toke me ullinj në pronësi të shtetasit F. H.

Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas është autor edhe i 3 rasteve të tjera të zjarrvënieve, në fshatrat Gërnec, Kotë dhe Mërtiraj, specifikisht:

­Më datë 29.07.2021, në fshatin Gërnec, dyshohet se ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme kullote;

Më datë 01.08.2021, në afërsi të fshatit Kotë, dyshohet se ka djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur dhe disa koshere me bletë në pronësi të shtetasit A. M.;

Më datë 08.08.2021, në fshatin Mërtiraj, dyshohet se ka djegur një sipërfaqe toke me ullinj në pronësi të shtetasit N. H.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.