Arrestohet sanitarja e Sanatoriumit që u merrte lekë pacientëve, 4 të tjerë nën hetim

Është arrestuar Tire Alldervishi, sanitarja që i mori qytetares 8 milionë lekë për t’i shpëtuar nënën nga koronavirusi, por që e kishte lënë të vdiste, duke mos i dhënë as ushqim, detaje këto sipas vajzës së viktimës që ka denoncuar rastin.
59-vjeçarja Alldervishi është arrestuar sot nga Policia e Tiranës, pas denoncimit që u bë në emisionin investigativ “Stop”, ku rezultonte se ajo ishte prezantuar si infermiere te shtetasja E. S., duke i marrë 8 milionë lekë për t’i shpëtuar të ëmën 55 vjeçe, por që kjo e fundit kishte ndërruar jetë te Spitali Covid-2 “Shefqet Ndroqi”.
Sipas denoncimit sanitarja e ka mashtruar, duke i marrë rregullisht shuma të ndryshme monetare. Ndërkohë, nën hetim janë edhe 4 persona të tjerë në këtë spital të dyshuar për korrupsion.
Dje menjëherë pas denoncimit, Ministria e Shëndetësisë e shkarkoi nga puna Alldervishin.