Aktualitet

Diçka që nuk na vret na bën më të fortë! Arsyeja pse sekseri në Universitetin e Korçës u lirua nga qelia

Diçka që nuk na vret na bën më të fortë! Arsyeja
Pedagogu Alket Dino dhe sekseri Xhevi Dervishi

Gjykata dha ‘arrest shtëpie’ për Xhevi Dervishi, personin që shërbente si sekser duke ndërmjetësuar studentët me pedagogët në Universitetet e Korçës.

Ai i shpëtoi qelisë, pasi paraqiti në gjykatën e posaçme të Apelit një dokument nga mjeku duke pretenduar se është i sëmurë, si arsye përse duhet të qëndrojë me arrest shtëpie deri ne përfundim te hetimeve.

Pas lirimit nga qelia, Dervishi ka bërë një postim në rrjetet sociale:

"Faleminderit familja ime! Faleminderit zot!Faleminderit për gjithçka njerëzit e mi të dashur! Miqtë e mi, dua t’ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen tuaj, në këtë situatë të vështirë për mua dhe familjen time! Sot jam pranë familjes dhe njerëzve të mi! Diçka që nuk na vret na bën më të fortë!".

Ndërkohë pedagogu i Universitetit ‘Fan Noli’, Alket Dino, vijon të jetë në burg, ndërsa akuzohet se u merrte para studentëve në këmbim të një note kaluese.

Ngjarja ka ndodhur në 23 shtator ku policia pas një hetimi 1 mujor arrestoi pedagogun e Fakultetit te shkencave te natyres dhe humane, Alket Dino,së bashku me sekserin dhe njëkohësisht mikun e tij, Xhevi Dervishi nën akuzat për korrupsion, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin u merrnin para studentëve për t’ju dhënë provimet.

Policia bëri me dije pas arrestimit se të dy të akuzuarit ishin kapur në afërsi të Fakultetit me një sasi prej 300 eurosh dhe 50.000 lekësh, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët.