Aktualitet

Arta Marku caktohet prokurore e përkohshme në Apelin e Tiranës

Arta Marku caktohet prokurore e përkohshme në Apelin e Tiranës

Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi sot mbledhjen e radhës ku u bënë caktimet e prokurorëve të përkohshëm si dhe drejtues prokurorish në disa qytete. Mësohet se Arta Marku, ish kryeprokurorja, është vendosur përkohësisht si prokurore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit.

Zonja Marku, 43-vjeçare nga Puka ka përfunduar në vitin 1999 shkollën e lartë në Shkodër, ndërsa Magjistraturën në 2001, dhe ka një eksperiencë prej 15 vitesh si prokurore. Një vit pas magjistraturës u emërua në Prokurorinë e Shkodrës ku mbajti detyra të ndryshme, që nga shefe e njësisë Task- Forcë në vitin 2006 e zëvendës-drejtuese e prokurorisë së rrethit deri në 2016. Marku e ka nisur karrierën e saj në kohën kur kryeprokuror në Shkodër ishte Ulsi Manja.

-Arben Dyla është caktuar Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje.

-Violeta Shkurta është caktuar Drejtuese e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.

‘Këshilli i Lartë i Prokurorisë pasi u njoh me relacionet e përgatitura nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, vendosi miratimin e projekt-akteve “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje të Arben Dyla ”, “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier të znj. Violeta Shkurta ” dhe “Për caktimin e përkohshëm në pozicionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Tiranë të znj. Arta Marku’, thuhet në njoftimin zyrtar.

Para caktimit të tyre u krye një process verifikimi të kushteve dhe kritereve ligjore të emërimit, pasurisë, figurës dhe integritetit,

Në mbledhje gjithashtu u vendos kualifikimi për emërim të dy kandidatëve për magjistratë në profilin prokuror, Enkeleda Hoxha dhe Gazmend Frëngu pas diplomimit në Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2019-2020. Me këtë vendimmarrje, Këshilli hap rrugën për shpalljen e dy vendeve vakante për kandidatët për prokuror.

Më shumicë votash, Këshilli miratoi raportet për analizimin e aftësisë profesionale të subjektit të rivlerësimit Ervin Beqiri, Petrit Hysa dhe Lindita Male (Ziguri) dhe projekt-aktin për mbarimin e statusit, për shkak dorëheqje, të magjistratit znj. Rabiana Halili, aktualisht prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

Mbledhja u mbajt on-line në lidhje Zoom me të gjithë anëtarët e Këshillit, si dhe të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, programet EURALIUS dhe OPDAT, në kushtet e distancimit social si rezultat i pandemisë COVID-19.