Ata ngrenë akuzën në drejtimin tonë duke thënë se drejtësia është e papërfunduar për 21 Janarin, kryeministri: Transformimi i drejtësisë po funksionon

Atyre që ngrenë akuza në drejtim të qeverisë për drejtësi të papërfunduar për 21 Janarin, kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot duke thënë se transformimi i drejtësisë po funksionon.
Duke theksuar se kjo nuk është një përpjekje për të justifikuar faktin se drejtësia nuk e ka kryer detyrën e vet Rama shtoi se qeveria nuk bën rolin e prokurorisë, por drejtësia e cila është krejt e pavarur nga pushteti.
“Ata ngrenë akuzën në drejtimin tonë duke thënë që drejtësia për 21 Janarin është e papërfunduar por duke ngatërruar kohën që kemi sot dhe nuk jemi që prej 1990 kur politika, partia në qeveri mund të bëjnë atë që i takon ta bëjë drejtësia, Parlamenti nuk bën gjyqe dhe nuk jep vendime gjyqësore. Qeveria nuk bën rolin e prokurorisë. As ministri i Drejtësisë as kryeministri nuk ngrenë akuza penale për t’ia çuar gjykatës së partisë. Është drejtësia që i bën këto. Krejt e pavarur nga pushteti. Shumëkush e konsideron këtë përpjekje për të justifikuar faktin se drejtësia nuk e ka kryer detyrën e vet.
Transformimi i drejtësisë po funksionon por natyrisht rruga e përmbushjes së këtij transformimi është në mes, siç janë sot kantieret e tërmetit që janë ende të pabanueshme. Por janë aty dhe tregojnë se më e keqja është lënë pas dhe e mira është përpara. Një pjesë janë larguar nga sistemi i drejtësisë si pjesë e llumit duke mos kaluar filtrin e sistemit. Drejtësia do e bëjë të sajën dhe ata që i vranë për herë të dytë dhe i vranë në bashkëpunim me nëjri-tjetrin me palë të treta, të veshur nën togën e zezë të gjykatësve të përgjigjen. Një pjesë janë ende në punë duke qenë se nuk iu ka ardhur radha. Kjo është pasqyra krejt e ngjashme me kantierin e ndërtimit. Ka diçka për të shtuar se shumkush mendon se me pastrimin nga vetingu mbaron pastrimi i këtyre, jo, vetingu është filtri që pastron prurjen në sistem dhe pjesë e të gjithë infrastrukturës së ngritur për ta vendosur drejtësinë në themele të reja”, tha kryeministri.