Aktualitet

Autoriteti i Dosjeve reagon pas deklaratave të Ilir Metës: Të ndjekë rrugën ligjore për informim

Autoriteti i Dosjeve reagon pas deklaratave të Ilir Metës: Të

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në një deklaratë zyrtare pasditen e sotme, shprehet se ky institucion nuk ka ndërmarrë asnjë hap të mëtejshëm për verifikimin e rasteve të referuara Kuvendit, për shkak të pengesës ligjore.

Autoriteti, duke iu përgjigjur kështu deklaratave të sotme të Ilir Metës, i cili kërkonte të sqarohej kush ishte shtetasi I.M. fton të gjithë të interesuarit të ndjekin rrugën ligjore për informim.

Reagimi i plotë i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit:

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit doli me njoftim zyrtar më 26 korrik, mbi problematikat në verifikimin e pastërtisë së figurës së zyrtarëve, funksionarëve të lartë publikë dhe të zgjedhurve qendrorë e vendorë, informacione që iu përcollën, me propozimet përkatëse, Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë kësaj kohe kanë qarkulluar shumë interpretime mbi informacionin e përcjellë nga institucioni. Autoriteti përgënjeshtron lajmet që referojnë vendime dhe dosje të shtetasve të ndryshëm, (si ai nr. 227, datë 27.05.2022) pjesë e punës së përditshme, të publikuara rregullisht në faqen zyrtare.

Institucioni fton të gjithë të interesuarit të ndjekin rrugën ligjore për informim, bazuar në ligjin nr. 119/2014, “Për të drejtën e informimit” dhe ligjin nr. 45/2015, i ndryshuar. Të drejtën e informimit për dosje të ish-Sigurimit të Shtetit mund ta ushtrojë çdo palë e prekur apo e përmendur. Autoriteti verifikon me përgjegjësi profesionale çdo pretendim mbi materiale të referuara, apo kërkuara. Aktualisht, institucioni po trajton për përgjigje kërkesat për informim mbi njoftimin e datës 26 korrik.

Autoriteti nuk ndikohet në ushtrimin e veprimtarisë së tij për informim dhe vijon punën, bazuar në ligjshmëri, transparencë, mbrojtje të së drejtës për jetë private dhe të dhënave personale, mbrojtje të të dhënave që përbëjnë informacion të klasifikuar dhe bashkëpunim mes institucioneve shtetërore.

Institucioni është në pritje të ndryshimeve ligjore të propozuara, për të kryer kërkimet dhe verifikimet përkatëse për rastet, që do të marrin kohën e tyre të trajtimit. Rastet e referuara Kuvendit nuk janë objekt verifikimi, për shkak të pengesës ligjore të cituar më herët.