Babai i Liridona Ademaj përforcon tezën se bashkëshorti urdhëroi vrasjen për siguracionin e jetës me vlerë 20 milionë euro
Liridona Ademaj 30 vjeç, nënë e dy fëmijëve po udhëtonte në mbrëmje me makinë me bashkëshortin e saj dhe dy fëmijët, në Kosovë. Një makinë u doli përpara, tentuan t`i vidhnin dhe ajo mbeti e vrarë. Ky ishte varianti i parë që doli tre ditë më parë.
Tashmë i arrestuar për vrasjen e saj është bashkëshorti. Ai ka pranuar krimin. Naim Murseli kishte inskenuar vjedhjen për të vrarë bashkëshorten.
Kur Granit Plava, atentatori u arrestua ai rrëfeu se vrasja ishte porositur nga bashkëshorti i Liridonës. Ata ishin nga i njëjti fshat. Sipas dëshmisë së tij mori 15 mijë euro para vrasjes dhe 15 mijë të tjera do t`i merrte pas saj.
Pse e vrau gruan Naim Murseli?
Një nga teoritë, e cila është përforcuar edhe nga rrëfimi i babait të Liridona Ademajt është “Siguracioni i jetës”.
“Vajza asnjëherë nuk ka treguar se ka pasur probleme me burrin. Vajza ka jetuar në Suedi dhe ka pasur sigurim dhe para të mëdha. Ky është dyshimi, për paratë e sigurimit”, thotë babai i saj.
Thuhet se siguracioni i jetës së Liridonës ishte paguar në Suedi dhe se mbulonte vlerën e 20 milionë eurove.
Momenti kur babai dyshoi se dhëndri ia kishte vrarë vajzën
“Si është puna e pyeta Naimin. Nisi të më tregonte.’ Po ecnim në rrugë dhe ka na kanë prerë rrugës. Ka thënë Liridona ndale makinën. Unë e hapa derën time. Si është kjo puna që m’u vra vajza në makinë. I thashë ‘si e lë vajzën në makinë’. Tha ‘Liridonës i kërkuan paratë dhe ajo nuk i dha’. Aty kam dyshuar unë”, tregon babai i saj.
Zhvarrosja e Liridonës
Varrimi i Liridonës u bë në varrezat e fshatit të bashkëshortit të saj, por pas zbulimit të së vërtetës, familja e saj i ka lënë dy ditë kohë familjes Murseli (të bashkëshortit) për të kryerjen zhvarrosjen dhe prehjen e trupit në varrezat e familjes së saj.
Paralelet e kësaj historie me atë të pilotit Babis në Greqi
Edhe piloti grek vrau gruan e tij duke inskenuar një vjedhje në shtëpi. Vrau gruan, lidhi veten në karrige dhe lajmëroi policinë. Doli në media disa ditë rresht dhe kërkonte drejtësi derisa në fund u zbulua se vrasësi ishte pikërisht ai. Kur u pyet pse hajdutët vranë gruan, ai u përgjigj se ajo kish bërë rezistencë. Njësoj si rasti në Kosovë.
Ora smart në dorën e gruas zbuloi të vërtetën se ajo ishte vrarë në gjumë, pasi rrahjet e zemrës tregonin qetësi dhe pastaj një rritje të menjëhershme (momentin e panikut dhe luftës për t`i mbijetuar zënies së frymës me jastëk).
Edhe Babis e vrau gruan në sy të vajzës së tyre të vogël, e cila gjendej pranë shtratit të prindërve, njësoj siç Naim Murseli inskenoi gjithë vjedhjen dhe porositi t`i vrisnin gruan, kur fëmijët e tyre do ishin në makinë gjithashtu.
Të dy ata, burrat e familjes, dolën të paprekur nga “vjedhjet”, i varrosën dhe qanë gratë ditën, pasi i kishin vrarë natën.