Babai i Martin Canit: Nuk ka ardhur asnjë lloj ngushëllimi, as falje nga familja e autorit. Më morën zemrën, dua drejtësi!
Babai i Martinit që u vra në derën e shkollës, në një intervistë për MCN u shpreh se nuk e njeh autorin dhe se familjarët e tij nuk e kanë ngushëlluar dhe as kanë kërkuar falje.
“Unë as nuk e njoh, as i kam mësuar emrin as nuk e di kush është, ku është dhe cili është, nuk kam asnjë lloj ideje.
Të jem i sinqertë nuk kanë ardhur, asnjë lloj ngushëllimi, asnjëlloj falje, asnjë informacion nuk kam. Ndoshta nuk kanë kurajo, mund të ndihen fajtorë. Nuk besoj se ka njeri që do që djali i tyre të bëhet kriminel
Çdo prind nuk e do djalin ta ketë kriminel. Ata kanë qenë moshatarë, fajësoj dorën që e vrau. Kë të fajësos? Ajo dorë i mori jetën djalit tim, ëndrrat. Nuk dua ta kthej politike, unë i përkas thjeshtësisë dhe paqes, erdha të ndërtoj shtëpi dhe familje, erdha me mall për atdheun, të jetoj këtu. Më lindën dy cuna, dy yje, njërin ma mori Zoti, më mori zemrën”, tha Cani.
Babai i 14 vjeçarit të ndjerë foli edhe për protestën e zhvilluar ditën e sotme për të birin.
“Nuk dua ta nxjerr pjesën politike, por cdo prind duhet të ndjejë një ndjesi për një djalë që ka humbur jetën. Po të kishte ndodhur në një vend të botës, jo të dorëhiqej ministri, por do të ishte ndryshuar qeveria. Edhe në Greqi, gjëra të tilla cfarë bëhet. Falenderoj të gjithë shqiptarët. Nuk dua t’i futem politikës, kam kontakte me të gjithë njerëzit, unë dua që djali im të prehet në paqe sic i takon", tha ai.
Ai rrëfeu edhe takimin e fundit me të birin.
“Luajti një ndeshje me Kavajën, më tha luajta shumë mirë, do të bëhem futbollist me Kombëtaren. Më tha do të më marrë xhaxhi me vete sepse e kemi gjysmën e familjes në Amerikë. Xhaxhai i ushqente që do të marr në Amerikë për shkollë. Këto ëndrra kishte ai djalë. Ai flinte me topin, kishte qejf të bëhej si Christiano Ronaldo", tha Cani.