Balla: Dosja e 21 Janarit do kalojë në SPAK, ka dalë në publik prova më e re dhe më e rëndë
Kreut i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për mediat ditën e sotme është shprehur se dosja e 21 Janarit do t’i kalojë SPAK-ut. Balla tha që prova e re audio që ka dalë provon se komandanti i Gardës ka urdhëruar vrasjet e 21 Janarit.
“Kurrë nuk kemi marrë asnjë përgjigje si palë akuzuese apo e dëmtuar për 21 Janarin. Dosja penale për 3 nga 4 vrasjet dhe vendimet e gjykatave janë një nga turpet më të mëdha në atë që quhej drejtësi në këtë vend, deri pak vite më parë. Edhe pse u vërtetua se bereta e Gardës së Republikës ka qëlluar, vrasja e Faik Myrtajt u konsiderua pa autor. Duke qenë forcë qeverisëse, jemi përpjekur të ruajmë kufirin e pavarësisë së pushteteve, edhe pse me pushtetin gjyqësor në këtë vend janë bërë shpërdorime ulëritëse të detyrës. Jemi në anën e drejtësisë dhe presim drejtësi. Kemi kërkuar kalimin e dosjes së Aleks Nikës në SPAK. Prova e re audio që ka dalë provon se komandanti i Gardës ka urdhëruar vrasjet dhe ka zgjedhur ata që duhet të qëllonin. Fakti që Berisha zhduku serverin e kamerave të Kryeministrisë, nuk e fshehu dot krimin. Pas 12 vitesh, më në fund, ka dalë në publik prova më e re dhe më e rëndë. Për këto më sipër, kjo dosje nuk duhet të mbahet më peng në Prokurorinë e Tiranës, duhet që kjo dosje të transferohet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, tha Balla.