Aktualitet

Balluku sqaron situatën me avarinë energjetike: Temperaturat rekord mund të kenë shkaktuar problematikën

Balluku sqaron situatën me avarinë energjetike: Temperaturat rekord

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka sqaruar situatën në lidhje me ndërprerjen e energjisë elektrike në të gjithë Shqipërinë mesditën e sotme.

Ministrja tha se volumet e mëdha të sistemit të transmetimin dhe temperaturat shumë të larta në nivele rekord kanë krijuar këtë problematike.

Balluku shtoi se ndërprerja e energjisë elektrike u rikuperua shumë shpejt, vetëm në 30 minuta në rang vendi, ndërsa në Tiranë për 17 minuta.

“Kemi pasur shkëputje të energjisë elektrike në të gjithë Shqipërinë, nga ana tjetër jemi informuar se e njëjta situatë ka ndodhur dhe në Malin e Zi, pjesërisht në Kroaci dhe Bosnje Hercegovinë.

Nga analiza e parë, rezulton se volumet e mëdha të sistemit të transmetimin në këto momente, gjithashtu edhe temperaturat shumë të larta në nivele rekord kanë krijuar këtë problematike.

Duhet thënë që nga puna e mirë që është bërë në terren, kemi arritur të rikuperojmë të gjithë shpërndarjen elektrike përmes linjave në rang vendi brenda 30 minutash, ndërsa Tirana është rikuperuar brenda 17 minutash. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë bashkëpunëtorët tanë në rajon për ta mbajtur rrjetin e sigurt“, u shpreh Balluku.