Aktualitet

Bashkia reagon pas denoncimit të PD: Familja Shabanaj ka marrë dëmshpërblim dhe i është miratuar rindërtimi i dy shtëpive, Basha të tregojë si shtoi 4 vila

Bashkia reagon pas denoncimit të PD: Familja Shabanaj ka marrë

Bashkia e Tiranës ka reaguar pas denoncimit të Partisë Demokratike, e cila publikoi sot një videomontazh rastin e familjes Shabanaj nga Baldushku, për të cilën pretendoi se nuk është ndihmuar pas tërmetit. Nga dokumentet e publikuara, familja e Mersin dhe Genc Shabanaj është dëmshpërblyer me 3 milionë lekë për tërmetin e 21 Shtatorit 2019, e ndërkaq pas dëmeve të mëdha gjatë tërmetit të 26 Nëntorit, dy vëllezërve do t’u rindërtohen dy shtëpi, ndonëse para tërmetit kanë jetuar në një shtëpi.

Bashkia e Tiranës shprehet se qeveria dhe bashkia nuk kanë lënë pa trajtuar e ndihmuar asnjë familje të prekur nga dy tërmetet e vitit të kaluar.

Bashkia reagon pas denoncimit të PD: Familja Shabanaj ka marrë

“Si të mos mjaftojnë montazhet dhe inskenimet mashtruese me familjet e prekura nga tërmeti i rëndë i 26 Nëntorit 2019, sot Lulzim Basha dhe Partia Demokratike i servirën qytetarëve të Tiranës fytyrën e ish deputetit që u kap në flagrancë me patllake në dorë, duke luftuar kundër Këndit të Lodrave të fëmijëve te Liqeni, për të transmetuar videomontazhin qesharak të radhës e duke përdorur për fushatë fatkeqësinë e familjes Shabanaj nga Baldushku.

Për të bërë transparencë para qytetarëve të Tiranës dhe për të vërtetuar edhe njëherë me fakte, e jo me kamera HD e spote publicitare për fushatë siç bën Lulzim Basha, se qeveria dhe bashkia nuk kanë lënë pa trajtuar asnjë familje të prekur nga dy tërmetet e vitit të kaluar, sqarojmë se:

- pas tërmetit të 21 Shtatorit, familja e Mersin dhe Genc Shabanaj është dëmshpërblyer me Vendim të Këshillit Bashkiak Nr. 152, Dt. 16.12.2019 në shumën 3 milionë lekë.

- pas tërmetit të 26 Nëntorit, familja është strehuar në konteiner dhe gjatë pandemisë është ndihmuar vazhdimisht me ushqime nga bashkia dhe Njësia Administrative. Aktualisht, dosja e familjes Shabanaj është trajtuar nga Drejtoria e Rindërtimit, e cila ka miratuar rindërtimin e dy shtëpive, për të dy vëllezërit Shabanaj, duke qenë se në shtëpinë e prishur nga tërmeti i Nëntorit 2019 kanë jetuar dy kurora”, thuhet në reagimin e Bashkisë.

Më tej Bashkia e Tiranës i kërkon Lulzim Bashës që të tregojë se si arriti të shtojë pronat e tij me 4 vila pas tërmetit e gjatë pandemisë. “Përpara se Lulzim Basha të montojë video të tilla dhe të përdorë kaq ulët fatkeqësinë e kësaj familjeje, është i detyruar t’u shpjegojë qytetarëve të Tiranës se përse dhe si arriti t’i shtojë pronat e tij me 4 vila pas tërmetit e gjatë pandemisë, por edhe të deklarojë publikisht se ku banon sot”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.