BBC dhe CNN: Rusia ka financuar këto vende. Mes tyre edhe PD-në e Shqipërisë për zgjedhjet e 2017-ës
Dy mediat më të mëdha në botë dhe serioze si CNN dhe BBC kanë sjellë një investigim për Rusinë dhe mënyrën sesi ka financuar parti dhe individë në vende të ndryshme për të shtuar influencën. Mes tyre shfaqet edhe Shqipëria me zgjedhjet e 2017-ës, ku një burim i afërt me investigimin thotë se ka dijeni që Partia Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës ka marrë shumën 500 mijë dollarë nga Rusia.
Më tej artikulli përfshin edhe vende si Bosnja, Mali i Zi dhe Madagaskari.
Në këtë investigim thuhet se arsyeja se pse e bën Putin këtë është synimi për të destabilizuar demokracinë dhe për të rritur influencën.
Shkrimi i BBC
Sipas pretendimeve të Departamentit të Shtetit Amerikan, Rusia ka shpenzuar fshehurazi më shumë se 300 milionë dollarë që nga viti 2014 për të ndikuar tek politikanët në më shumë se 24 vende.
Pretendimi bazohet në një vlerësim të deklasifikuar të inteligjencës amerikane, të publikuar dje.
Një zyrtar i lartë nga administrata e Presidentit Joe Biden tha: 'Ne mendojmë se kjo është vetëm maja e ajsbergut'. Mendohet se këto shifra janë minimale dhe se Rusia ka dërguar edhe të tjera.
Zyrtari foli në kushte anonimiteti.
Vlerësimi i inteligjencës amerikane nuk përmendi zyrtarë të veçantë që besohet se janë shënjestruar nga Rusia, por thuhet se përfshinin katër kontinentet.
Një burim i administratës që ka informacion mbi gjetjet, pretendon se Rusia ka shpenzuar rreth 500,000 dollarë për të mbështetur Partinë Demokratike të qendrës së djathtë të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2017 dhe gjithashtu financoi partitë ose kandidatët në Bosnjë, Mal të Zi dhe Madagaskar, sipas agjencisë së lajmeve AFP.
Burimi tha gjithashtu se Kremlini kishte përdorur Brukselin si një qendër për fondacionet dhe frontet e tjera që mbështesin kandidatët e ekstremit të djathtë.
Kompanitë fiktive thuhej se përdoreshin për të financuar partitë evropiane dhe për të blerë ndikimin diku tjetër.
Autoritetet ruse deri më tani nuk kanë bërë asnjë deklaratë publike mbi pretendimin e SHBA.
Moska ka fajësuar më herët agjencinë amerikane të inteligjencës CIA për ndërhyrje në punët e vendeve të tjera në mbarë globin.
Të martën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price e quajti financimin e dyshuar të Rusisë një 'sulm ndaj sovranitetit'.
Vitin e kaluar, zyrtarët e inteligjencës amerikane vlerësuan në një raport se presidenti rus Vladimir Putin kishte të ngjarë të kishte autorizuar përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet e Amerikës në vitin 2020 në favor të ish-presidentit Donald Trump.
Megjithatë, sipas të njëjtit raport, asnjë qeveri e huaj nuk kishte kompromentuar rezultatet përfundimtare.
Rusia i quajti 'të pabaza' akuzat për ndërhyrje në zgjedhje.
Komuniteti i inteligjencës amerikane po informon privatisht vendet që pretendohet se rusët kanë financuar. Bisedat do të mbeten konfidenciale.