Aktualitet

Bilanci i javës së parë të aksionit për prishjen e ndërtimeve pa lejë: 35 objekte të shembura në Ksamil, Sarandë dhe Velipojë

Bilanci i javës së parë të aksionit për prishjen e

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka njoftuar me anë të një statusi në rrjetet sociale se përgjatë javës së parë të aksionit “Bregdeti ynë” që synon prishjen e ndërtimeve pa lejë me qëllim lirimin e hapësirave publike për sezonin turistik, janë shembur 35 objekte në Ksamil, Sarandë dhe Velipojë, ndërkohë që 10 objekte janë prishuar nga vetë pronarët e tyre.

Paralelisht, Policia ka arrestuar 5 persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër për veprën penale të ndërtimit pa lejë dhe zaptimit të tokës publike. Kujtojmë se kostot nga shembja e objekteve do i faturohen personave që kanë ndërtuar pa lejë.

Statusi i plotë i ministrit Çuçi:

Plot 35 objekte me strukturë betoni dhe metalike të ngritura pa leje janë shembur në Ksamil, Sarandë e Velipojë në vetëm 6 ditët e para të operacionit “Bregdeti Ynë”. Ndërkohë Policia e Shtetit ka arrestuar 5 persona, ka shpallur 1 në kërkim dhe disa të tjerë i ka proceduar penalisht që prej nisjes së këtij operacioni, i cili është veçse fillimi i fundit të marrëzisë për të ndërtuar pa leje dhe për të zaptuar territor sipas dëshirës. Lajm i mirë që për 10 objekte kanë qenë vetë ndërtuesit e paligjshëm që i kanë shembur dhe po vetë i kanë hequr inertet. E gjithë vija bregdetare nga Velipoja në Ksamil do të pastrohet njëherë e mirë nga çibanët e ngritur prej babëzisë për të fituar në kurriz të zbatimit të ligjit e mbrojtjes së mjedisit. IKMT dhe Policia e Shtetit do ta shtrijnë këtë operacion edhe në zona të tjera për ta çliruar përfundimisht bregdetin nga shkelësit e ligjit, të cilët kurrsesi nuk do t’i ikin përgjegjësisë për këto ndërtime.

Tiranapost.al