"Black out" në Ballkanin Perëndimor! Disa vende përballen me ndërprerje të energjisë elektrike
Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Kroacia janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike më 21 qershor. Ende nuk dihet arsyeja e ndërprerjes së rrymës, shkruan REL.
Sistemi për shpërndarjen e rrymës në Mal të Zi njoftoi përmes një postimi në Facebook se ka ndërprerje të energjisë elektrike dhe se pothuajse i tërë vendi është pa rrymë.
Ndërkaq, drejtori i Elektropriverda në Republikën Sërpska, Luka Petroviq, tha për Radio Evropa e Lirë se arsyeja e ndërprerjes së rrymës në pothuajse tërë territorin e Bosnjës është për shkak të një “problemi në rrjetin e energjisë në Mal të Zi”.
Nga Kompania e Furnizimit me Energji Elektrike të Kosovës (KESCO) kanë konfirmuar për REL se nuk ka probleme me furnizim me energji elektrike në Kosovë. Probleme me rrymë nuk është raportuar as në Serbi.
Burimi: REL.