Bllokohen mbi 1 milion paketa cigaresh kontrabandë nga India. Kreu i Doganës thirrje porositësit
Dy kontejnerë me cigare kontrabandë u sekuestruan në portin e Durrësit. Paketat e cigareve, mbi 1 milion të tilla, ishin prodhim nga India dhe pa pullë fiskale shqiptare apo të ndonjë vendi tjetër.
Në treg paketat kapnin vlerën e 168 mijë eurove, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli tha në një deklaratë për mediat se porositësi i kësaj ngarkese duhet t’i paguajë shtetit 164 milionë lekë akcizë.
"E gjithë ngarkesa ishte e papajisur pa pullën fiskale të shtetit shqiptar. Nëse ajo do hidhej në treg do kapte vlerën e 168 mijë euro. Ndërsa akciza që duhet të paguajë ndaj shtetit është 164 milion lekë. E gjithë sasia u sekuestrua dhe rasti u referua në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale, "Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë. Ky nuk është rasti i parë i kohëve të fundit që kapen mallra kontrabandë, sidomos për mallrat e akcizës”, tha Gazheli.
Kjo ishte dalja e tij e parë publike në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm, ku përcolli edhe një mesazh për qytetarët: “Çdo punonjës i Administratës doganore do të jetë në shërbim për të krijuar lehtësi dhe një klime të favorshme për sipërmarrjen, si dhe në funksion të konkurrencës së ndershme dhe barazisë para ligjit”.