Aktualitet

Brataj i drejtohet gazetarëve: Lajmet për vetëvrasjet mund të kthehen në domino. Kujdes se mund të dëmtoni edhe mjekët

Brataj  i drejtohet gazetarëve: Lajmet për vetëvrasjet mund

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, iu drejtua medias lidhur me lajmet tragjike, për rastet e vetëvrasjeve, apo të deklaratave të dhëna nga mjekët. Në Forumin e Mediat të organizuar nga OSBE, Brataj u shpreh:

“Nuk është mirë, kur shohim titujt bombastik, vetëvrasjet që ndodhen në spitalet tona. Ky është një proces, që çdo javë kemi hedhje nga pallatet, sepse është pjesë e sëmundjes depresive, siç ka sëmundje të tjera. Shumë herë kur media fiksohet bëhen dominante, ndaj nuk duhet ndihmuar një proces i tillë. Ndaj mediat kanë rol të madh”, tha ai.

Gjithashtu Brataj kishte një mesazh lidhur me mënyrën sesi përcillen deklaratat e specialistëve të shëndetësisë përgjatë kohës, si dhe me ndikimin që kanë lajmet që janë të pavërtetuara.

“Artikujt ose titujt që jepen në mënyrë bombastike por që nuk kanë lidhje me përmbajtjen e tyre. Është një rikujtues që duhet të kenë shumë kujdes. Jam mjek që kam punuar me vite të tëra në urgjencë dhe nuk kishte rëndësi se çfarë thosha unë, sot që kam një pozicion çdo fjalë që themi jo vetëm që ndikon por edhe na e rikujtojnë çfarë ke thënë me muaj më parë, pavarësisht se ky është një proces që ndryshon shumë herë. Dhe nëse themi ndonjëherë, duhet të gjykohemi për momentin që e kemi thënë dhe si e kemi thënë. Disa nga emisionet investigative që lëshojnë bombën kur nuk është vërtetuar asgjë, dhe sidomos ne mjekët dëmtohemi shumë, sepse qytetari të beson çdo gjë. Dhe një goditje e pavërtetuar, ose shumë herë le të veprojnë organet e drejtësisë”, tha Brataj.