Aktualitet

Burg për shoferin që aksidentoi çiftin te Rruga e Kavajës. Gjendja e çiftit e rënduar

Burg për shoferin që aksidentoi çiftin te Rruga e Kavajës.

Ajas Sulejmani, 39-vjeçari që aksidentoi çiftin dhe fëmijën 3-muajsh te rruga e Kavajës ndodhet në qeli.

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për drejtuesin e mjetit luksoz që pas përplasjes u largua nga aksidenti.

Si ndodhi aksidenti?

Aksidenti i rëndë ndodhi paraditen e së dielës në rrugën e Kavajës teksa një çift me foshnjën 3-muajshe me karrocë po kalonin në vijat e bardha para një semafori.

Ndërsa automjetet e tjera kishin ndaluar pasi semafori ishte i kuq për automjetet, makina ‘Mercedes Benz G-Class” e drejtuar nga Ajas Sulejmani erdhi me shpejtësi duke marrë përpara çiftin.

39-vjeçari u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua nga policia pak orë më vonë.

Si është gjendja e çiftit?

Nga raportimet mediatike mësohet se gjendja e çiftit që u përplas bashkë me foshnjen tre-muajshe te rruga e Kavajës është ende e rënduar.

Arjan Konomi , i cili po kurohet në spitalin e Traumës ka kaluar në reanimacion, trajtim intensiv. Ndërsa bashkëshortja, Vilma ndodhet në gjendje të rënduar në spital, por nuk ka kaluar në trajtim intensiv. Të dy ndodhen në gjendje të vetëdijshme, por kanë dëmtime të shumta traumatike.

Foshnja fatmirësisht pësoi dëmtime të lehta dhe fillimisht është marrë nga familjarët. Duke qenë se Vilma Konomi është përmendur ditën djeshme dhe ka kërkuar vajzën e vogël, ajo është rikthyer në spital dhe do të qëndrojë me prindërit.